Tuneli në rrugën “Agim Ramadani”, “Rruga A” dhe unaza e brendshme që e lidh “Lakërishtën” dhe “Arbërinë” janë tri projektet më të mëdha, të cilat janë bartur në buxhet të Komunës së Prishtinës për vite me radhë.
Pasi kanë qenë edhe pjesë e planprogramit të fushatës zgjedhore të Përparim Ramës, këto plane të cilat janë planifikuar edhe në buxhetin e vitit 2022 janë ndër prioritetet më të mëdha të drejtorit për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi.
Përderisa “Rruga A” do të përcillet për tenderim në këtë vit, janë tuneli dhe unaza e brendshme që nuk i kanë projektet e përfunduara.
Së bashku me to në këtë vit do të përcillen tutje të gjitha investimet që janë miratuar në mandatin e kaluar, për të cilat Xhaferi thotë se është një obligim ligjor.
Por problemi, sipas tij, është se shumë nga këto planifikime nuk kanë projekte.
“I kemi 38 projekte. Një pjesë e madhe e tyre nuk kanë projekt, njëherë duhet t’i bëjmë projektet pastaj t’i dërgojmë në procedurë të mëtutjeshme. Njëri nga projektet që besoj që do t’i realizojmë është unaza e brendshme që lidh Lakërishtën me Dragodanin që do e zgjidh një problem të madh komunikacionit. Pastaj është rruga A e cila nuk është finalizuar. “, tha Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale.
Ndërsa për realizimin e nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”, Xhaferi thotë se duhet ta shtojnë një pjesë të planit pasi ka qenë i mangët.
“Në fazën se si është projektuar nuk mund të vazhdohet më tutje, sepse ka problem sepse nuk ka vazhduar edhe nënkalimi nga xhamia në drejtim të “Sami Frashërit”, ajo është njëra ndër arteriet më të rëndësishme e qytetit dhe nuk guxojmë pa e trajtua në tanësi. Pjesa e sipërme është shëtitore, pjesa e poshtme duhet të trajtohet si nënkalim. Në rastin komplet nuk është trajtuar si nënkalim por si shëtitore, është përzgjedhur kompania që duhet të fillojë punët, nga xhamia në drejtim të “Sami Frashërit” por si e tillë nuk mund të trajtohet”, deklaroi Xhaferi.
E sa u përket gropave, sivjet nuk pritet të ketë ndryshime pasi buxheti është i trashëguar.
“Sivjet e kemi problem sepse një buxhet të trashëguar. Do e bëjmë ndarjen zonale të qytetit. Deri tani ka qenë një kompani. Në vitin e ardhshëm do ta ndajmë në pesë zona që do bëjnë monitorimin e zonës 24 orë. Projekt i vitit të ardhshëm dhe do të jetë një zgjidhje e një problemi të madh që do lirojnë qytetarët”, tha ai.
Disa qytetarë mendojnë se kjo qeverisje do t’i realizojë premtimet e dhëna e disa të tjerë mendojnë se edhe ky mandat do të jetë vazhdimësi e atyre të kaluarave.
Ndryshe, në mars të këtij viti pritet fillimi i punimeve në rrugët që janë në buxhet. Ndërsa për rrugën “Muharrem Fejza” Drejtoria e Investimeve ka paralajmëruar se janë duke e punuar një plan që do të prezantohet me rifillimin e punimeve.
Për 38 projektet e vitit 2022 janë planifikuar afër 12 milionë euro nga buxheti i Komunës së Prishtinës, që për këtë vit është mbi 90 milionë euro.