Drejtori i Drejtorisë së Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, nëpërmjet emisionit “038” të KTV-së, u është përgjigjur pyetjeve të shumta të prishtinasve për investimet e kësaj drejtorie nëpër lagje e fshatra të ndryshëm të kryeqytetit.
Xhaferi ka thënë se si Drejtori kanë bërë punë të madhe që të mos ketë vonesa në realizimin e kontratave. Ka thënë se më 5 janar të këtij viti i kanë përcjell për tenderim 95 për qind të të gjitha kontratave që i kanë në planifikim investiv për vitin 2023. Shumica e kontratave, sipas Xhaferit, janë në procesin e vlerësimit.
Xhaferi ka thënë se kanë planifikuar 1 milion euro për trajtimin e rrugëve me zhavorr nëpër të gjithë fshatrat e Prishtinës. Sipas tij, pritet vetëm bartja e mjeteve që të nënshkruhet kontrata.
Sa i përket projektit të “Rrugës A”, Xhaferi ka thënë se e kanë përcjell për tenderim, ndërsa tash është në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe nuk është në dorën e Komunës. Pret që në fund të këtij muaji, OSHP-ja të japë përgjigje pozitive dhe muajin tjetër të nisin punimet në projektin që e ka cilësuar si më të madhin e Komunës. Ka bërë thirrje që projekti të trajtohet më me urgjencë nga OSHP-ja.
Ndërsa, për bllokimin e mjeteve të vitit të kaluar nga Qeveria, Xhaferi ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Kushtetueses nëse nuk zhbllokohen. Ka shtuar se bëhet fjalë për 28 milionë euro, dhe nëse nuk zhbllokohen, disa projekte nuk do të mund të realizohen, e për këtë ai fajëson nivelin qendror. Ka thënë se teprimi i mjeteve për vitin 2022 ka ndodhur për shkak të situatës kaotike me rritjen e çmimeve, dhe siç thotë ai, operatorët ekonomikë nuk kanë kryer punët me të njëjtin çmim. Por ka premtuar që sivjet nuk do të ketë teprim kaq të madh të mjeteve për investime.
Xhaferi ka thënë se rrugët “Antigona Fazliu”, “Ilir Konushevci” dhe “Bajram Bahtiri” janë në fazën e vlerësimit dhe pritet të fillojnë shumë shpejt punimet.
Edhe
Xhaferi akuzon pushtetin qendror për bllokim të projekteve të rëndësishme në Prishtinë
Drejtori i Investimeve Kapitale tutje ka thënë se vazhdimi i “Rrugës B” në pjesën e poshtme pritet të fillojë shumë shpejt, ndërsa në pjesën e sipërme ka theksuar do trajtim më të veçantë.
Ndërkohë, ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani”, sipas Xhaferit, është dërguar për tenderim si projekt madhor i kryeqytetit. Në vitin 2024, ai ka thënë se pritet ta buxhetojnë ndërtimin e tij.
Xhaferi ka thënë se kanë ndarë buxhet për pesë rrugica të “Muharrem Fejzës”. Ndërsa vazhdimin e rrugës “Muharrem Fejza” planifikojnë ta bëjnë me ndarje zonale, ku edhe kanë planifikuar mbylljen e gropave.