Një mësimdhënës në Gjakovë është përjashtuar nga puna nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht nxënësen e tij. KOHA mëson se profesori 52-vjeçar ka qenë recidivist i ngacmimeve seksuale ndaj nxënëseve. Seria e rasteve të ngacmimeve seksuale nisi më 2010, kur situata u hesht me transferimin e tij në një shkollë tjetër. Para 7 vjetësh u raportua nga dhjetë nxënëse për ngacmim seksual, mirëpo në atë kohë i dyshuari u pezullua për tre muaj me 50 për qind të pagës, e hetim nga organet e drejtësisë nuk pati
Një profesori në një shkollë të mesme në Gjakovë me inicialet I.M. i është shkëputur kontrata e punës pas raportimit të një nxënëseje për ngacmim seksual ndaj saj.
Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baqi, ka thënë se në momentin që ka marrë raportimin nga shkolla, ka kërkuar nga Komisioni Disiplinor që profesori të largohet nga sistemi edukativo-arsimor.
“Të gjitha, edhe nga lënda paraprake e vendimit, edhe nga deklaratat e nxënëses dhe të tjera materiale të cilat i ka bashkëngjitur Drejtoria e shkollës, i kemi bërë bashkë. Drejtoria e Arsimit në Gjakovë është shumë e ashpër ndaj rasteve të tilla dhe duhet të jemi të ashpër, duhet të jemi po ashtu njëjtë edhe me monitorimet, edhe me inspektimet e mësimdhënësve”, ka thënë ajo.
Në Prokurori kanë thënë se janë ende në fazën fillestare të procedurave ligjore.
“Në Prokurorinë Themelore në Gjakovë nga Policia e Kosovës është parashtruar raport informues lidhur me këtë çështje penale me dt. 01.02.2023, prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore dhe bazuar në rezultatin e këtyre veprimeve do të vendoset se a do të fillojnë hetimet dhe se a do të ngrihet aktakuzë lidhur me këtë rast”, është thënë në përgjigjen e tyre.
KOHA ka mësuar se profesori 52-vjeçar është recidivist kur bëhet fjalë për ngacmime seksuale ndaj nxënëseve. Në vitin 2010, i dyshuari kishte qenë profesor në një shkollë fshati, kur ndaj tij ishin drejtuar akuza nga nxënësit për sjellje të pahijshme, por shkolla nuk kishte dorëzuar raport në institucione. Çështja ishte heshtur me transferimin e tij në një nga shkollat e mesme në qytetin e Gjakovës.
Më pas në vitin 2016, sa ishte pjesë e stafit të shkollës së mesme, rreth 10 nxënëse e kishin raportuar për ngacmim seksual. Komisioni Disiplinor komunal e kishte suspenduar për tre muaj me 50 për qind të pagës. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtoresha e tanishme Kumnova-Baqi. E, sipas Prokurorisë, për këtë rast nuk ka pasur hetim nga organet e drejtësisë.
“Ju njoftoj se pas kontrollimit të databazave tona rezulton se në vitin 2016 nuk është iniciuar asnjë rast lidhur me këtë person në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ashtu që sa për informacion, pasi që shfletuam lëndën e re PPN.nr.53/2023 rezulton në Raportin Informues të Policisë se lidhur me një rast tjetër që kishte ndodhur në vitin 2016, e që ndërlidhet me veprën penale ‘ngacmimi seksual’, nuk është iniciuar asnjë rast në organet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Kësisoj, pas kalimit të periudhës së suspendimit, i dyshuari ishte kthyer në punë, ku ka vazhduar të punojë deri këtë vit, kur edhe u përjashtua.
KOHA ka kërkuar sqarime nga ish-drejtoresha e Arsimit, Diana Qarkaxhiaj, për rastin e këtij profesori. Përmes telefonit, ajo ka thënë se rasti nuk i kujtohet mirë, pasi ka kaluar kohë e gjatë. Sipas saj, për çdo vendim përgjegjës është Komisioni Disiplinor.
KOHA u ka shkruar më 6 shkurt edhe tre anëtarëve të Komisionit: Teuta Vokshi, Afijete Boshnjaku e Dardan Bakija, por deri më 12 shkurt nuk ka marrë përgjigje nga asnjëri.