LAJMET E MBRËMJES

Ngrihet aktakuzë ndaj mësimdhënësit të dyshuar për ngacmim seksual të nxënëseve

Aktakuza ndaj mësimdhënësit me iniciale F.K. në Vushtrri është ngritur bazuar në dyshimin se ai ka ngacmuar seksualisht nxënëset në klasën e gjashtë. Nxënëset e kishin raportuar rastin qysh nga tetori i vitit 2022, porse mësimdhënësi ka vazhduar që ta ushtrojë detyrën deri në janar, kur komuna e ka suspenduar deri në përfundim të procesit penal ndaj tij. Në Ministri të Arsimit kanë thënë se janë të vetëdijshëm që rastet e ngacmimeve seksuale tentohen të fshihen, ndërkaq kanë shtuar se janë duke punuar për të rritur mobilizimin e të gjitha hallkave me qëllim të identifikimit dhe të raportimit të rasteve Majlinda Ibrahimi

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj mësimdhënësit F.K. të lëndës së gjuhës angleze në një shkollë në Vushtrri, nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht nxënëset e klasës së gjashtë.

Aktakuza është ngritur më 20 dhjetor të vitit 2022, rreth dy muaj pas paraqitjes së ankesës për ngacmim.

“I dyshuari me inicialet F.K. akuzohet për kryerjen e veprave penale: ‘keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’ dhe ‘ngacmimi seksual’”, është bërë e ditur në njoftimin nga Prokuroria.

Rastin i ngacmimit nxënësit e kishin raportuar te menaxhmenti i shkollës që nga muaji tetor, porse mësimdhënësi ka vazhduar që të punojë në këtë institucion arsimor deri në janarin e 2023-tës, është bërë e ditur nga Prokuroria.

“Të gjithë nxënësit e intervistuar kanë deklaruar se ata qysh para orës së dytë të mësimit në muajin tetor 2022, pra, rezulton se nga ora e tretë e mësimit, kanë lëshuar orën e mësimit dhe kjo përkon qysh nga fillimi i muajit tetor 2022 dhe ende vazhdon deri në datën 11.11.2022, kur janë intervistuar të miturit”, është thënë në shkresën e Prokurorisë drejtuar në komunë.

Hashim Hajrizi, kryetar i Komisionin disiplinor për zyrtarët publikë në Komunën e Vushtrrisë, ka thënë se mësimdhënësi është suspenduar më 4 janar, me heqje të 50 përqindëshit të pagës, deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij.

“Kanë qenë disa sjellje të pahijshme ndaj nxënësve, me ç'rast drejtori i shkollës ka marrë masa - vërejtje me gojë dhe vërejtje me shkrim. Ndërsa rasti që është sjellë te ne, konform ligjit në fuqi, kemi marrë vendim që të suspendohet me 50 për qind të pagës”, ka thënë Hajrizi.

Që nga fillimi i vitit 2022, ky është rasti i tretë i raportimit në media të ngacmimeve seksuale të nxënësve nga mësimdhënësit. Në qershor të 2022-tës, një 37-vjeçar në Vushtrri ishte arrestuar nën dyshimin për ngacmim seksual ndaj një nxënëseje të tij.

Në shkollën fillore “Lidhja e Pejës” në Novosellë, një mësimdhënës i lëndës së biologjisë është larguar përkohësisht nga puna, shkaku i dyshimit se ka kryer veprën penale të ngacmim seksual.

Bazuar në një raport të publikuar nga Këshilli i Nxënësve, 34.4 për qind e nxënësve kanë deklaruar se janë ngacmuar seksualisht nga mësimdhënësit.

“Rastet tentohen të fshihen nga shkollat, e as që raportohen në institucione sepse frikësohen që dëmtohet imazhi i shkollës. E nxënësit shpeshherë nuk i raportojnë rastet, ngase e dinë që askush nuk merret me to”, kishte thënë më herët për KOHËN, Elion Ademi, anëtar i Këshillit të Nxënësve.

Të vetëdijshëm për tentimet e fshehjes dhe mosraportimin e rasteve janë shprehur në Ministrinë e Arsimit. Në një përgjigje për KOHËN, në këtë ministri kanë thënë se janë duke punuar për identifikimin dhe raportimin e rasteve.

“MASHTI, por edhe Forumi Nacional kanë evidenca për prezencën e dhunës, keqpërdorimin e teknologjisë informative, prezencën e lokaleve afër shkollave dhe mundësisë së ekspozimit të fëmijëve ndaj narkotikëve, drogave, prezencën e rreziqeve të trafikimit, ngacmimeve/abuzimeve seksuale, bullizmit dhe jemi duke punuar që të rrisim mobilizimin e të gjitha hallkave për identifikim, trajtim dhe raportim cilësor të rasteve”, është thënë në përgjigjen e MASHTI-t.

KOHA ka provuar që të marrë një qëndrim rreth rastit edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK), por asnjë zyrtar i saj nuk kanë qenë i qasshëm gjatë së enjtes.