Këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Fushë-Kosovës, Vlonjat Hasani, e ka akuzuar Drejtorinë për Arsim se ka bërë shkelje në procesin e zgjedhjes së tre drejtorëve të shkollave. Ai ka thënë se DKA-ja i ka ftuar në intervistë nga dy kandidatë që, sipas tij, është në kundërshtim me një udhëzim administrativ.
“Drejtoria për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës ka lëshuar njoftim për shpalljen e emrave të përzgjedhur të kandidatëve për drejtor të SHML ‘Hivzi Sulejmani’, ‘Vëllezërit Frashëri’ dhe ‘Selman Riza’. Në start kjo Drejtori ka bërë shkelje të Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Sepse, sipas këtij Udhëzimi, përkatësisht Neni 6 i tij, pika 5, 5.1 dhe 5.2 e specifikojnë që konkursi publik anulohet ose dështon nëse: së paku 3 kandidatë nuk i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs”, ka shkruar Vlonjat Hasani në Facebook.
Sipas tij, Drejtoria e Arsimit i ka ftuar vetëm nga dy kandidatë për intervistim.
“Pra, ky konkurs si i tillë me këtë shkelje të ligjit është i destinuar të dështojë dhe të përdoret për përmbushjen e egove të pushtetit lokal për kontrollin e tërësishëm të sistemit arsimor në Komunën e Fushë-Kosovës. Largojeni dorën politike mbi arsimin!” ka thënë Hasani.
Por, këto akuza i ka mohuar drejtori për Arsim në Fushë-Kosovë, Samir Shahini. Ai në një përgjigje për KOHËN ka thënë se konkursi fillimisht është shpallë më datën 05.01.2022 me numër protokolli 01/22.
“Është dashtë të rishpallet pasi kriteret e parapara me UA 15/2015 neni 4 paragrafi 1, nuk janë plotësuar nga së paku 3 kandidatë. Për këtë rishpallje është lëshuar njoftim në faqen zyrtare të komunës më datë 09.02.2022. Më datë 10.02.2022 është rishpallur i njëjti konkurs, sipas UA 15/2019 për detyrat, përgjegjësitë, procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së drejtorit dhe zv.drejtorit të institucioneve të arsimit parauniversitar, ku neni 7 Procedura e përzgjedhjes së drejtorit dhe zv.drejtorit, paragrafi 2.5 thekson se konkursi i dytë mund të shqyrtohet edhe me më pak se 3 kandidatë që i plotësojnë kriteret”, ka theksuar Samir Shahini. “Nuk ka kundërshtim me ligjin, përkatësisht me Udhëzimin Administrativ të lartëcekur, sepse në herën e dytë procedura duhet të realizohet edhe nëse nuk janë 3 kandidatë minimalisht. Tutje, komisionet për përzgjedhjen e drejtorëve kanë kaluar me shumicë votash në Asamblenë Komunale në mbledhjen e janarit 2022”.
Drejtori për Arsim ka kërkuar nga MASHT-i që t’i hetojë pretendimet e këshilltarit të VV-së.
“Për më tepër në dezinformatën e shpërndarë i bëhet thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të kërkojë llogari nga DKA për këtë rast, derisa komisioni i kaluar në Kuvend Komunal ka në përbërje përfaqësuesin e MASHT-it që nga fillimi i procesit, i cili mund të dëshmojë që procesi është realizuar me përgjegjësi dhe me transparencë të plotë”, ka thënë ai.
Drejtorët në këto tri shkolla nuk janë zgjedhur ende, pasi procesi është në fazën e intervistimit.