Arbëri

Ish-drejtori Gashi pretendon se edhe konkursi për ta zëvendësuar atë në MASHT ishte i kundërligjshëm

Konkursi i shpallur nga Ministria e Arsimit për ta zëvendësuar ish kreun e Inspektoratit të Arsimit në Ministrinë e Arsimit, Defrim Gashi pas transferimit të tij në MAPL po pretendohet se është shpallur jashtëligjshme. KOHA ka raportuar edhe javën e kaluar se si Gashi pas 16 vjetëve ishte transferuar nga Ministria e Arsimit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për çka ai kishte pretenduar se u transferua jashtëligjshëm dhe për këtë e kishte akuzuar ministren Nagavci.

Pasi u largua nga pozita e kreut të Inspektoratit të Arsimit ku shërbeu për 16 vjet, Defrim Gashi, thotë se edhe konkursi i shpallur nga MASHTI për ta zëvendësuar atë ishte i jashtëligjshëm.

KOHA ka raportuar javën e kaluar se si Gashi ishte transferuar nga Ministria e Arsimit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për çka ai kishte pretenduar se u transferua jashtëligjshëm dhe për këtë e kishte akuzuar ministren Nagavci.

Gashi thotë se largimi i tij ishte i qëllimshëm për t’i hapur rrugë një emërimi të ri në këtë pozitë, përmes një konkursi që ai e cilëson të paligjshëm.

“Unë jam larguar që t’i hapet rrugë një emërimi të ri, pavarësisht se ai konsiderohet i përshtatshëm nga dikush. Konkursi është tërësisht i kundërligjshëm dhe pa bazë ligjore. Ligji për Inspektimet kërkon që çdo agjenci ekzekutive të ketë rregullore dhe përshkrim detyrash të miratuar. Këto kanë munguar”, tha ai. 

KOHA ka kërkuar përgjigje për këtë rast nga MASHTI, Departamenti i Mbikëqyrjes së Zyrtarëve Publikë dhe KPMSHCK që nga 8 korriku.

Por në një përgjigje nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë vlerësohet se konkursi për ta zëvendësuar Gashin është i ligjshëm.

“Ju njoftojmë se nuk mund të jetë i qëndrueshëm konstatim se nuk janë shqyrtuar të gjitha provat si dhe ligjshmëria e konkursit për pozitën drejtor i Përgjithshëm në Inspektoratin e Arsimit, ngase sipas këtij vendimi, përveç që janë shqyrtuar të gjitha provat, po ashtu është shqyrtuar edhe ligjshmëria e konkursit dhe është konstatuar se kjo procedurë është zhvilluar në pajtim me Ligjin Nr. 08.L-197 për Zyrtarët Publikë”.

Mirëpo, sipas nenit 79 të Ligjit për Zyrtarët Publikë në rastet kur një zyrtar ka pasur një mandat të përhershëm, ai duhet të emërohet me mandat 4-vjeçar ose t’i vazhdohet edhe një mandat tjetër në pozitat e larta drejtuese.

Edhe avokati Fitim Klinaku, thotë se Dëfrim Gashit i është mohuar kjo e drejtë me veprime që bien ndesh me ligjin në fuqi.

“Mandati i parë është 4-vjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për 4 vjet të tjera, në rast se zyrtari publik në pozitë menaxheriale ka performancë më të mirë se mesatarja. Pra, kemi një kolizion të ligjeve dhe kontratave që kanë pasur këta zyrtarë më herët. Në rastet kur zyrtarët nuk po i nënshkruajnë kontratat me mandat të caktuar dhe institucionit i shkëputen kontratat, kjo është në kundërshtim me ligjin, dhe u themi atyre zyrtarëve që u është shkëputur kontrata të iniciojnë procedurë në gjykatë”, tha Klinaku. 

E në një rast të mëparshëm, KPMSHCK-ja kishte anuluar një konkurs për drejtorin e Agjencisë Pyjore, vetëm sepse nuk ishte specifikuar fusha e arsimit.

Por në rastin e Inspektoratit të Arsimit, edhe pse mungesa ishte e njëjtë, konkursi nuk është anuluar.