Arbëri

VV-ja akuzon komunën për shkelje ligjore në konkursin për drejtorë të shkollave

Me akuza e kundërakuza ndërmjet zyrtarëve të Vetëvendosjes dhe pushtetit në Fushë-Kosovë është përcjellë konkursi për zgjedhjen e drejtorëve të tri shkollave në këtë komunë. Të parët po pretendojnë se Drejtoria për Arsim ka bërë shkelje ligjore në këtë proces dhe se pushteti po synon kontrollin e tërësishëm të arsimit në këtë komunë. Ndërkohë, zyrtarët komunalë i kanë mohuar këto akuza duke i quajtur dezinformata. Të njëjtët e kanë ftuar MASHTI-n që t’i hetojë pretendimet e Vetëvendosjes

Konkursi për drejtorë të tri shkollave në Fushë-Kosovë ka përplasur opozitën dhe pushtetin në këtë komunë. Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje po konsiderojnë se ky proces është përcjellë me shkelje ligjore, pasi pushteti i ka ftuar në intervistë vetëm dy nga tre kandidatë sa duhet të jenë për një shkollë, në mënyrë që konkursi të mos konsiderohet i dështuar.

Këshilltari nga radhët e Vetëvendosjes, Vlonjat Hasani, ka thënë se kjo mënyrë e përzgjedhjes së drejtorëve po bëhet duke shpërfillur Udhëzimin Administrativ nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.

“Drejtoria për Arsim ka bërë shkelje të Udhëzimit Administrativ 07/2017 konkretisht nenit 6 të tij, i cili specifikon qartë formën apo procedurat e konkursit në sektorin publik, ku thuhet konkretisht se konkursi anulohet ose dështon nëse së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs”, ka thënë Vlonjat Hasani.

Sipas tij, Drejtoria për Arsim i ka paraqitur vetëm nga dy emra për secilën shkollë.

“Niveli i transparencës është pothuajse zero, pasi nuk i kanë bërë publikë as emrat e kandidatëve të tjerë, të cilët edhe nuk janë pranuar, nuk janë publikuar pikët e tyre, arsyeja pse ata nuk i kanë përmbushur kriteret në këtë konkurs. Por, ironia është se ne si Kuvend Komunal jemi të thirrur për të punuar në Rregulloren për transparencë, kurse ekzekutivi e ka pothuajse zero nivelin e transparencës”, ka theksuar Vlonjat Hasani. “Normalisht që këtu mungon edhe përfshirja e komuniteteve pakicë, të cilat e kanë edhe të garantuar me Kushtetutë dhe normalisht se mungon edhe thirrja nga ekzekutivi që t’i inkurajojë ata që të aplikojnë në këto konkurse”.

Por, këto akuza i ka mohuar drejtori për Arsim në Fushë-Kosovë, Samir Shahini. Ai në një përgjigje për KOHËN ka thënë se konkursi fillimisht është shpallë më datën 05.01.2022 me numër protokolli 01/22.

“Është dashtë të rishpallet pasi kriteret e parapara me UA 15/2015 neni 4 paragrafi 1, nuk janë plotësuar nga së paku 3 kandidatë. Për këtë rishpallje është lëshuar njoftim në faqen zyrtare të komunës më datë 09.02.2022. Më datë 10.02.2022 është rishpallur i njëjti konkurs, sipas UA 15/2019 për detyrat, përgjegjësitë, procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së drejtorit dhe zv.drejtorit të institucioneve të arsimit parauniversitar, ku neni 7 te Procedura e përzgjedhjes së drejtorit dhe zv.drejtorit, paragrafi 2.5 thekson se konkursi i dytë mund të shqyrtohet edhe me më pak se 3 kandidatë që i plotësojnë kriteret”, ka theksuar Samir Shahini. “Nuk ka kundërshtim me ligjin, përkatësisht me Udhëzimin Administrativ të lartcekur, sepse në herën e dytë procedura duhet të realizohet edhe nëse nuk janë tre kandidatë minimalisht. Tutje, komisionet për përzgjedhjen e drejtorëve kanë kaluar me shumicë votash në Asamblenë Komunale në mbledhjen e janarit 2022”.

Drejtori për Arsim ka kërkuar nga MASHTI që t’i hetojë pretendimet e këshilltarit të VV-së.

“Për më tepër, në dezinformatën e shpërndarë i bëhet thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të kërkojë llogari nga DKA për këtë rast, derisa komisioni i kaluar në Kuvend Komunal ka në përbërje përfaqësuesin e MASHT-it që nga fillimi i procesit, i cili mund të dëshmojë që procesi është realizuar me përgjegjësi dhe me transparencë të plotë”, ka thënë ai.

Drejtorët në këto tri shkolla nuk janë zgjedhur ende, pasi procesi është në fazën e intervistimit.