Proces maratonik i pret ish-eprorët e UÇK-së, të akuzuar nga Specialja, madje edhe para se të nisë gjykimi.
Gjashtë muaj sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar e 18 muaj sipas mbrojtjes së të akuzuarve, do të zgjasë vetëm procesi i dorëzimit të provave nga Prokuroria te të akuzuarit e përgatitja e avokatëve dhe e ish-eprorëve të UÇK-së për përballjen me aktakuzën.
Ish-eprorët Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ende nuk janë pajisur me shkresat mbështetëse të aktakuzës.
Por prokurorja Claire Lawson çështjen e aktakuzës nuk e ka konsideruar befasi për të akuzuarit, duke aluduar se edhe pa dorëzim të shkresave ata mund të nisin mbledhjen e provave mbrojtëse.
“Nga informacioni që ka mbrojtja është e njoftuar me çështjen dhe nuk është çështja befasi për mbrojtjen dhe për mënyrën që do ta paraqesin mbrojtjen e tyre. Për mendimin e ZPS-së nuk ka arsye se pse gjykimi të mos mund të fillojë në verën e vitit 2021”, ka thënë prokurorja Claire Lawson.
Kjo deklaratë e ka zhgënjyer avokatin me renome ndërkombëtare, Ben Emmerson, që e mbron ish-kryekuvendarin Kadri Veseli.
“U çuditëm dhe u zhgënjyem që avokatja e Prokurorisë u përpoq të justifikonte që të akuzuarit i dinë akuzat. Është e qartë, bazuar në përvojat e gjykimeve në Tribunalin e ish- Jugosllavisë dhe me akuzat kundër anëtarëve të UÇK-së, gama e hetimeve që do të kërkohen të bëhen nga mbrojtja do të jenë të mëdha, aktakuza e Prokurorisë është ndërtuar si me arna...”, ka thënë Ben Emmerson.
Prova false e dëshmitarë të rremë pretendon ky avokat se ka shfrytëzuar Prokuroria për këtë proces, e sipas tij një gjë e tillë do të dëshmohet kur të dalin provat. Atëherë, sipas tij, kjo aktakuzë do të duket qesharake.
Por avokati David Hooper, mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka kontestuar nëse mund të krahasohen gjysmë dekade hetime prej Zyrës së Prokurorit Special për këta të akuzuar, me 6 muaj kohë për mbrojtjen.
“Për mendimin tim propozimi që ky gjykim të fillojë në qershor është absolutisht absurd. Kjo është një çështje e komplikuar, ndoshta do të fillojë në verë, në qershor, por jo vitin e ardhshëm, ndoshta një vit më pas. Kur ke përpara një aktakuzë që është e redaktuar, për shembull, një fjali thotë në një ditë e nuk jepet”, ka thënë Hooper.
Avokati i Rexhep Selimit, David Young, dhe avokatja e Jakupit Krasniqit, Venkateswari Alagendra, kanë mbështetur kundërshtimet e kolegëve të tyre në këtë seancë, në lidhje me kohën e nevojshme për fillimin e procesit gjyqësor.
153 dëshmitarë, sipas prokurores Lawson, janë të përfshirë në aktakuzë. Ajo ka paralajmëruar edhe dëshmitarë shtesë në këtë proces, ku do të mbështetet Prokuroria.
Prokuroria, sipas parashtesës së publikuar, ka 43 mijë faqe dokumentacion e 20 orë e 17 minuta audio-incizim si prova që do t’i përdorë kundër katër të akuzuarve për krime lufte.
Në pjesën e dytë të seancës, e cila ka zgjatur rreth 3 orë, mbrojtja ka diskutuar për mbrojtjen në liri të të akuzuarve.
Avokati Emmerson ka thënë së ende nuk e dinë së çfarë provash ka Prokuroria ndaj klientit të tij.
“Si mund ta paraqesim një parashtresë kuptimplotë që nuk e kemi informacionin”, ka thënë Emmerson.
Në këtë seancë janë diskutuar edhe çështje të tjera, që kryesisht ishin teknike e që lidhen me klasifikimin e provave që duhet t’u dorëzohen palëve, dhe planin se si provat do të dorëzohen.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë duke u mbajtur në paraburgim, ndërsa janë arrestuar rreth dy javë më parë për krime lufte kundër civilëve gjatë viteve 1998-1999.