Për qentë endacakë do të jepet zgjidhja në fund të qershorit sipas strategjisë që Qeveria e Kosovës planifikon ta ndërmarrë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, ka ngritur problemin me qentë endacakë gjatë seancës ku po bëhen pyetje parlamentare.
Ai ka kërkuar të dijë për zgjidhjen konkrete të këtij problemi.
“Komunat e tjera dhe Komuna e Prishtinës nuk po e kanë mundësinë dhe kapacitetin për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë. Dhe në këtë rast zgjidhja pritet nga niveli qendror. Kur pritet finalizimi i taskforcës dhe zgjidhja konkrete për këtë çështje”, pyeti ai.
Kurse, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se në fund të qershorit do të miratohet strategjia kombëtare për qentë endacakë.
“Ky është një nga shqetësime kryesore ditëve të fundit. Ne si ministri kemi nxjerrë një vendim më 16 shkurt që të formohet një grup punues për hartimin e një strategjie kombëtare. Në fund të qershorit do ta kemi të miratuar në qeverinë e Kosovës strategjinë kombëtare për qentë endacakë”, tha Krasniqi