Arbëri

Prizreni synon transformimin me përvojat e Gelsenkirchenit

Autoritetet komunale të Prizrenit kanë shprehur gatishmërinë për të marrë mësime nga Gelsenkircheni i Gjermanisë lidhur me praktikat e mira për transformimin e qytetit. Idetë fillestare në këtë aspekt, sikurse edhe mundësitë për bashkëpunim në sferat e tjera si edukim, turizëm e zhvillim ekonomik, janë diskutuar gjatë takimit të kryetarit Shaqir Totaj me asamblisten dhe kryetaren e Këshillit të Integrimit të qytetit gjerman, Teuta Abazi.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se përvoja e Gelsenkirchenit në transformimin e qytetit ka të bëjë me menaxhimin më të mirë të Qendrës Historike, me ridizajnimin e trafikut urban, dhe me çështje të tjera, të cilat mund të shërbejnë si një shembull i mirë edhe për Prizrenin.

dimë që Gelsenkirchen është një qytet për përmasat tona relativisht i madh, por edhe i zhvilluar. Ka qenë qytet industrial, mirëpo diku në 30 vjetët e fundit ka pësuar një transformim, për shkak se minierat janë mbyllur. Edhe është shndërruar në një qytet të tipit tjetër, edhe mënyra se si ka ndodhur ai transformim për neve mund të jetë një model se si edhe ne do të kishim mundur të punojmë në atë drejtim”, ka thënë Totaj.

Asamblistja nga Gelsenkircheni, Teuta Abazi, ka thënë se përpjekjet e saj shkojnë në drejtim të përkrahjes së komunitetit shqiptar dhe në saje të krijimit të bashkëpunimeve të reja me qytetin gjerman, aty ku jeton dhe ku aktualisht është e angazhuar si kryetare e këshillit për integrim.

“Kemi ekspertë edhe në qytetin e Gelsenkirchen, meqë e thamë edhe më herët, i kemi 260 mijë banorë dhe e kemi një infrastrukturë që duhet të jetë efikase, kështu që do të shkëmbejmë mendimet e ekspertëve se ku mund të kontribuojmë për qytetin e Prizrenit që të bëhet me infrastrukturë më të mirë”, është shprehur Abazi.

Zyrtarët komunalë të Prizrenit rreth një muaj më parë gjatë qëndrimit në Gjermani kanë zhvilluar takim me kryetaren e Këshillit të Integrimit të Gelsenkirchenit.