Komuna e Prizrenit dhe Zyra e BE-së në Kosovë do të vazhdojnë bashkëpunimin për realizimin e disa projekteve kapitale, ndërkohë që do të shqyrtojnë mundësitë edhe për ndërtimin e ngrohtores së qytetit, si pjesë e masave për mbrojtjen e mjedisit.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, pas takimit me kryetarin Shaqir Totaj ka bërë të ditur se BE-ja do t’i vazhdojë investimet në këtë komunë në fushën e arsimit, rinisë, trashëgimisë kulturore me përqendrim në Qendrën Historike.
“Ne kemi investuar 2 milionë euro në studimin e fizibilitetit se si mund të ofrohet ngrohja qendrore në Prizren dhe presim rezultatet dhe vendimin e radhës se si të zbatohen rekomandimet e studimit”, tha Szunyog.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pohuar se me diplomatin evropian është diskutuar për projektet aktuale që janë në zbatim e sipër.
Sipas tij, krahas projekteve për rivitalizimin e rrugës “Marin Barleti” dhe të kinemasë Lumbardhi, janë shqyrtuar edhe projektet e tjera zhvillimore.
“U përmend çështja e mundësisë së ndërtimit të nxemjes qendrore për Komunën e Prizrenit, sepse e dimë që deri më tani vetëm Prishtina dhe Gjakova e kanë një mundësi të tillë, kurse në të ardhmen do të punojmë seriozisht që të shqyrtojmë mundësinë që këtë projekt ndoshta ta implementojmë në Prizren dhe kjo do të ishte një avantazh shumë i madh për qytetarët e Komunës së Prizrenit”, tha Totaj.
Gjatë qëndrimit në Prizren shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë është takuar edhe me përfaqësuesit e komunitetit hebraik, si dhe me drejtuesit e një biznesi në Prizren.