Komuna e Prizrenit ka njoftuar se prej të hënës ka filluar pranimi i aplikimeve nga prindërit e fëmijëve të porsalindur për mbështetje financiare. Në këtë thirrje publike është bërë e ditur se organet komunale kanë ndarë një fond prej 1 milion euro për fëmijët të cilët kanë lindur gjatë vitit 2021, bazuar në vendimet e Kuvendit të Komunës të datës 21 maj 2021 dhe 9 shtator 2021.
“Fondi që Komuna ka ndarë për këtë mbështetje është 1 milion euro dhe planifikohet që vlera e mbështetjes financiare për secilin fëmijë të lindur brenda vitit 2021 të bëhet si në vijim: Për fëmijën e parë (1) të lindur ndahet shuma financiare prej 250 euro; Për fëmijën e dytë (2) të lindur ndahet shuma financiare prej 300 euro; Për fëmijën e tretë (3) e më tepër të lindur ndahet shuma financiare prej 350 euro”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit, ku figuron edhe sqarimi që në rast se numri i aplikimeve tejkalon vlerën e fondit të ndarë për këtë thirrje, “Komuna do të zvogëlojë vlerën e mbështetjes dhe kështu fondi do të shpërndahet për të gjithë aplikuesit që i plotësojnë kriteret”.
Te kriteret e kualifikimit theksohet se prindërit duhet të jenë banorë të përhershëm të Komunës së Prizrenit dhe se fëmija duhet të jetë i lindur nga data 1 janar 2021 deri në datën e aplikimit.
“Aplikuesit që nuk e plotësojnë njërin nga këto kritere diskualifikohen nga përfitimi! Për fëmijët e lindur pas datës së kësaj thirrje, Komuna do të dalë me udhëzime në fund të vitit!”, thuhet në njoftim, duke listuar edhe dokumentet që duhet të dorëzohen në formë fizike te objekti i Administratës komunale deri më datën 5 nëntor 2021. “Aplikacionet që dorëzohen pas datës 5 nëntor 2021 do të hynë në pagesë në janar të vitit 2022”, shkruan aty.
Kjo thirrje, ditë më parë, është shpërndarë në rrjetet sociale nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i cili paraprakisht ka theksuar se do të ketë mbështetje financiare për prindërit e fëmijëve të porsalindur, pasi Komuna e Prizrenit ka ndarë një fond prej 1 milion euro për fëmijët të cilët kanë lindur nga data 1 janar 2021 dhe se aplikimet fillojnë të hënën.
Për këtë postim ka reaguar opozitari nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj duke theksuar se kryetari Haskuka nuk e ka shpalosur informatën si tërësi.
“Vendimi për mbështetjen e nënave lehonë është vendim i Kuvendit të Komunës së Prizrenit e jo i Ekzekutivit, madje është propozim dhe vendim i atij Kuvendi që ky e ka ofenduar çdo ditë”, ka thënë Baldedaj.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, në shtator të këtij viti, patën miratuar vendimin për rialokimin e rreth 2.5 milionë eurove, mjete këto të pa shpenzuara nga investimet kapitale nga granti qeveritar dhe të hyrat vetjake për vitin 2021. Kjo vendimmarrje, pati mundësuar më pas edhe aprovimin e vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të datës 21 maj 2021 për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur, që ishte kontestuar nga niveli qendror.
Në këtë seancë, drejtoresha e Financave Leonora Çerreti pati pohuar se sipas statistikave të lindjeve të marra nga Spitali i Prizrenit deri në fund të muajit gusht ka pasur 1089 fëmijë të porsalindur, dhe se deri në fund të vitit pritet që ky numër të shkojë në 1,600 fëmijë të porsalindur.
Propozimi për mbështetjen financiare të lehonave ka qenë nismë e grupit të këshilltareve të KK-së së Prizrenit. Ndërsa miratimi i vendimit për rialokimin e mjeteve të pashpenzuara, ia ka hapur rrugën ndryshimit dhe plotësimit të vendimit për lejimin e ndarjes së mjeteve financiare për fëmijët e porsalindur, që ishte vlerësuar si i kundërligjshëm nga Qeveria e Kosovës.
“Vendimi i miratuar për mbështetjen e fëmijëve të porsalindur është kthyer për rishqyrtim nga MAPL-ja, me arsyetim se Komuna nuk ka pas planifikim të subvencioneve dhe nuk ka pas mjete të mjaftueshme. Tani bëhet ndryshimi i atij vendimi dhe plotësohet neni 2, ku përcaktohet se prej cilit fond sigurohen mjetet, në mënyrë që ky vendim të zbatohet”, pati sqaruar drejtoresha Çerreti.