Përpjekja e dytë për aprovimin e vendimit për autorizimin e huamarrjes nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rezultuar e suksesshme në Kuvendin e Komunës së Prizrenit. Në seancën e jashtëzakonshme të këtij organi komunal, me ndihmën e një pjese të opozitës i është dhënë drita e gjelbër marrjes së kredisë nga BERZH-i, me të cilën parashihet financimi i efiçiencës së energjisë në 100 ndërtesa në pronësi komunale. Edhe këtë herë ka pasur përplasje ndërmjet Ekzekutivit e opozitës, gjë që ka detyruar një pjesë të anëtarëve të KK-së që të largohen nga salla e mbledhjes. Megjithatë shumica e këshilltarëve, përkatësisht 23 sosh kanë qëndruar në sallë, duke mundësuar vendimmarrjen për këtë çështje.
Në hapje të seancës së jashtëzakonshme zyrtarët lokalë kanë shpjeguar se si pos kredisë në vlerë prej 5 milionë eurove, Komuna nga BERZH-i përfiton edhe grantin prej 1 milionë eurove për rinovimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike.
i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka pohuar se pas aplikimit të masave të efiçiencës së energjisë në shkolla dhe në qendra të mjekësisë familjare do të ketë kursime në shpenzime që do të mundësojnë pagesën e kësaj kredie. "Në vit do të kemi më pak shpenzime diku rreth 278 mijë euro. Nëse i shikojmë këstet e pagesës do të jenë rreth 300 mijë euro në vit. Në aspektin financiar, kjo i bjen që faktikisht me koston, të cilën do të kishim paguar rrymën edhe nxehjena për shkolla, ne do t'i paguajmë këstet e kredisë", ka thënë Haskuka, duke shtuar se me aplikimin e këtyre masave përmbushen edhe standardet e kërkuara nga BE-ja për eficiencë të energjisë.
Ndërsa Bujar Sekiraqa nga Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka theksuar se aplikimi i masave të eficiencës së energjisë në ndërtesa ka ndikim në performansën energjetike të tyre, dhe se rasti i Prizrenit dallon nga komunat tjera në Kosovë.
“Komuna e Prizrenit dallon nga komunat tjera, për shkak se në bazë të studimeve të Planit komunal të veprimit për eficiencë të energjisë shumica e ndërtesave gëzojnë mbrojtje si vlera të trashëgimisë kulturore. Kjo do të thotë se aplikimi i masave të eficiencës së energjisë ka një kosto shtesë nga ndërtesat standarde”, ka thënë ai, duke shtuar se ky projekt shkon në favor të qytetarëve dhe institucioneve.
Në anën tjetër Simir Krasniqi nga PDK-ja opozitare ka theksuar se nuk e sheh të arsyeshme marrjen e kredisë nga Komuna e Prizrenit kur çdo vit ka suficit nga buxheti. “Si po shihet brenda një mandati qeverisës afër 20 milionë euro do të mbesin suficit nga Komuna e Prizreni dhe tash Komuna e sheh të arsyeshme të futet në kredi”, është shprehur ai.
Adem Shabanaj i VV-së ka thënë se këshilltarët e kësaj partie e përkrahin këtë vendim, meqë huamarrja është në interes të qytetarëve.
Haziz Hodaj i LDK-së ka theksuar se partia e tij i voton marrëveshjet ndërkombëtare, ani pse ka dilema shkaku i suficitit të përvitshëm.
Berisha i Nismës ka shprehur qëndrimin se ky subjekt nuk pajtohet që Prizreni të futet në kredi në fund të mandatit keqqeverisës të Haskukës.
Ndërkaq Ilir Baldedaj i AAK-së opozitare ka vlerësuar se marrëveshjet ndërkombëtare janë të mira aty ku ka qeverisje të mirë. “Nuk mund të ketë marrëveshje të mira ndërkombëtare kur ky pushtet çdo vit ka suficit, çdo vit ka dështime të projekteve”, ka thënë Baldedaj, duke përkujtuar se seanca e jashtëzakonnshme është dashur të thirret për ndarjen e mjeteve për qytetarët e prekur nga COVID-19. Në të njëjtën kohë ka akuzuar një pjesë të kuvendarëve të opozitës për pazare të natës me koalicionin qeverisës.
Pas debatit të zhvilluar, një numër i kuvendarëve opozitarë janë larguar nga salla e KK-së. Megjithëkëtë vendimmarrja për këtë projekt është mundësuar nga një pjesë tjetër e kuvendarëve të opozitës, që bashkë me kuvendarët e koalicionit kanë qëndruar në seancë. Nga 23 kuvendarët prezentë, 19 kanë votuar për dhe 3 kanë abstenuar.
Muajin e kaluar mos miratimi i propozim-vendimit për huamarrje nga BERZH-i, pat shkaktuar përplasje mes kryetarit Haskuka dhe kuvendarëve, përfshirë edhe ata të VV-së.