Arbëri

Prizren, gjoba për kundërvajtësit në trafik dhe shkelësit e masave anti-Covid

Dhjetëra gjoba janë shqiptuar nga Njësia rajonale e trafikut në Prizren për pjesëmarrësit në komunikacion që nuk i kanë respektuar rregullat e trafikut, si dhe për shkeljen e masave anti-Covid.

Sipas zyrtarëve policorë, këto veprime janë ndërmarrë me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik, por edhe mbrojtjen e shëndetit publik, marrë parasysh rritjen e të numrit të të infektuarve gjatë ditëve të fundit.

Zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi, ka theksuar se Njësia rajonale e trafikut me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik është në zbatim të planeve operative aktive, ku bën pjesë edhe zbatimi i masave anti-Covid.

“Kjo njësi ka evidentuar një sërë kundërvajtjesh, po ashtu krahas kësaj edhe në zbatim të masave anti-Covid dhe zbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës janë ndërmarrë veprime ndaj shkelësve të ligjit, të cilët nuk ju kanë përmbajtur këtyre rregullave përfshirë trafikun dhe masat anti-Covid”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, për mosrespektim të shpejtësisë së kufizuar janë shqiptuar 105 gjoba, për mosrespektim të dritave të semaforit 7 gjoba, për drejtim të mjetit pa patentë shofer 3 gjoba, për mosvendosje të rripit të sigurisë 25 gjoba, skadim të afatit të regjistrimit të automjetit 1 gjobë, për xhamat e errët 2 gjoba, për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit 2 gjoba, për kundërvajtje 18 gjoba dhe për shkelje të masave anti-Covid gjithsej 8 gjoba.

“Ne ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik, por edhe qytetarëve, meqë jemi në kohë pandemie, e kemi obligim ligjor që të respektohen të gjitha këto masa me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt për të gjithë, përfshirë sigurinë në trafik por njëkohësisht edhe parandalimin dhe mospërhapjen e pandemisë, pasi kohëve të fundit jemi dëshmitarë që ka rritje të numrave”, ka shtuar Gashi.

Njësitet policore do të vazhdojnë zbatimin e planeve operative aktive edhe në ditët në vijim.