Tash e disa ditë, radhë të mëdha të qytetarëve janë krijuar para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për t’u pajisur me vula apostile. Ata i kanë thënë KOHËS se pritjet janë krijuar pasi së fundmi Ministria i ka larguar terminët, për të cilët ata thonë se janë keqpërdorur. Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se fluksi i njerëzve ka ardhur si shkak i pandemisë
Ismet Makolli, që të mërkurën kishte ardhur qysh në mëngjes në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për të marrë një vulë apostile, u desh të priste me orë të tëra për ta kryer këtë shërbim. Kjo pasi sistemi i shërbimeve konsullore kishte rënë në MPJD. Makolli thotë se nëse nuk pajiset me këtë vulë sa më parë të jetë e mundur, atëherë mund t’i skadojë afati i terminit të ambasadës për vizë.
“Sot kemi pasur termin, na thanë që është hequr termini, tash është pa termin. Deri tash ishim mbi 400 persona duke pritur, përafërsisht. Nuk e di deri kur shkon kështu. Punësim s’ka, mundësi nuk të jep më ikë. Tash na del afati i terminit të ambasadës për vizë”, ka thënë ai.
Për marrjen e vulave apostile verifikuese, një numër i madh i qytetarëve po presin tash e sa ditë para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Deri para disa ditëve, dhënia e vulave apostile në MPJD ishte bërë përmes terminëve, por për këtë gjë qytetarët kanë ngritur dyshime për keqpërdorime.
Madje, gjatë së martës dhe së mërkurës para MPJD-së kanë pritur edhe persona të cilët kanë pasur terminë, por që nga Ministria u kanë thënë se u janë “djegur” ata. Njëjtë si Makolli, edhe Adrian Beqa kishte ardhur në MPJD për vulë apostile, por është shprehur i zhgënjyer me pritjet e gjata për ta marrë këtë vulë.
“Prej orës 09:00-09:30 kemi ardhë për të pritur për vulë apostile, shumë kallaballëk, nuk po e dimë pse është bërë gjithë ky kallaballëk dhe nuk po na japin arsye. Për një vulë të pritet 5-6 javë, nuk po e shoh të arsyeshme”, ka deklaruar Beqa.
Ndërsa Besnik Berisha thotë se ka tre muaj që ka pritur për të caktuar termin për të marrë një vulë në MPJD.
“Kështu po na shkaktojnë shumë probleme, po bëjmë shumë shpenzime, 500 euro unë personalisht vetë kam bërë shpenzime për këto vulat e MPJD-së. Edhe nuk e di kush do të marrë masa për këto, që para një muaji janë kryer për një ditë, tash duhet me pritë 3 muaj ditë. Nuk e di a ka dikush që merr masa për këto punë”, ka theksuar Berisha.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se radhët e gjata janë bërë pasi qytetarëve u janë grumbulluar dokumentet për shkak të mbylljes dhe masave kufizuese nga pandemia.
Ata kanë thënë se duke parë fluksin e madh të kërkesave për shërbime konsullore, Ministria ka shtuar kapacitetet njerëzore, në mënyrë që qytetarët të mos e humbasin terminin që mund ta kenë në ndonjërën nga ambasadat e huaja në Kosovë.
për Çështje Konsullore po punon edhe jashtë orarit të punës dhe po jep maksimumin që t’ua ofrojë shërbimet e kërkuara të gjithë qytetarëve që presin në radhë, duke arritur kështu shifrën prej mbi 500 lëndësh të kryera gjatë ditës – mesatarja e dokumenteve të vulosura/legalizuara. Ministria do të marrë edhe masa të tjera me synim për të pakësuar radhët e qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Pavarësisht situatës me pandeminë, qytetarët që kanë pritur para MPJD-së nuk i kanë respektuar masat për mbrojtje nga virusi COVID-19.