Arbëri

Krijohet shtab emergjent brenda ambasadave të Kosovës në shtetet nga po vijnë mërgimtarët

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet në pikëkalimet kufitare mes Sllovenisë e Kroacisë, Kroacisë e Serbisë, Hungarisë e Serbisë dhe kësaj të fundit dhe Kosovës, ku ka një numër të madh të mërgimtarëve që po presin për të ardhur në vendlindje për pushime.

MPJD përmes një njoftimi për media, thotë se ka krijuar një shtab emergjent brenda ambasadave të Kosovës në këto shtete, si dhe brenda ministrisë, për të përcjellë secilin zhvillim në pikëkalimet kufitare ku ka pritje të gjata, dhe për t’u dalë në ndihmë shtetasve tanë që kanë marrë rrugën për në Kosovë.

Siç njofton MPJD-ja, kufiri Slloveni- Kroaci, ka pritjet deri në 10 orë.

“Ambasada e Kosovës në Kroaci njofton se bazuar në informacionet nga pikat kufitare, pritjet për hyrje në Kroaci nga kufiri i Sllovenisë janë deri në dhjetë (10) orë, ndërsa në dalje, në kufirin Kroaci-Serbi, janë deri në pesë (5) orë. Arsyeja e pritjeve kaq të gjata janë mërgimtarët e të gjitha shteteve të Ballkanit, përfshirë edhe ata kroatë, të cilët po kthehen në Kroaci për festat e fundvitit. Ambasada jonë në Zagreb njofton se autoritetet kroate kanë shtuar kapacitetet në këto pika kufitare për të përshpejtuar kontrollin dhe evituar pritjet e gjata”, njofton ministria.

Sipas MPJD-së, masat e reja anti-covid të ndërmarra nga Qeveria e Sllovenisë kanë bërë që të ketë pritje të gjata edhe në kufirin slloven.

“Kjo, pasi siç njofton Ambasada e Kosovës në Slloveni, vendimi i qeverisë sllovene ndalon kalimin nga një komunë në tjetrën për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh nënshtetësinë - përveç disa përjashtimeve. Së këndejmi, vonesat shkaktohen si pasojë e kontrollës së hollësishme nga autoritetet e atjeshme për të verifikuar të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë kufirin se a kanë një fakt që dëshmon se cilin nga përjashtimet janë duke e shfrytëzuar”, njofton tutje ministria.

Edhe në Slloveni ka një fluks të qytetarëve slloven që kthehen në vendlindje për festat e fundvitit, të cilët, po ashtu kanë ndikuar në pritjet e gjata në kufi.

“Në dy kufijtë kryesor Hungari-Serbi, deri në 5 orë pritje. Situatë e ngjashme është edhe në dy kufijtë kryesor Hungari-Serbi, ku ka pritje të gjata. Sipas Ambasadës sonë në Hungari, në pikën kufitare Röszke-Horgosh koha e pritjeve të automjeteve të vogla në drejtim të Serbisë arrinë deri në pesë (5) orë, ndërsa në pikën tjetër kufitare Tompa-Kelebia, afër qytetit të Suboticës, pritjet janë deri në tri (3) orë”, thuhet tutje.

MPJD-ja, thotë se sipas ambasadës së Kosovës në Budapest, këto pritje të gjata po ndodhin për shkak se kufijtë kryesor të Hungarisë me Serbinë në këtë kohë frekuentohen shumë nga qytetarë të ndryshëm nga gjithë vendet e Ballkanit dhe jashtë saj.

“Informata për qytetarët tanë që kalojnë tranzit nëpër Serbi - Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi njofton se fluksi i madh i pritjes në pikëkalimet në hyrje të Serbisë është edhe si rezultat i masave të reja anti-covid që do të nisin të zbatohen nga dita e dielë në këtë shtet. Sipas njoftimit që kemi marrë nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë, në kuadër të masave anti-covid që ka ndërmarrë ky shtet, prej datës 20.12.2020 hyjnë në fuqi masat e reja ku për të hyrë brenda territorit të saj është obligativ testi PCR por jo në rastin e kalimit tranzit. Qytetarët e Kosovës kalojnë tranzit nëpër Serbi dhe sipas masave të reja ata duhet ta lëshojnë vendin brenda 12 orëve”, thuhet tutje, derisa MPJD-ja shton se rritja e kontrolleve për shkak të këtyre masave pritet të ndikojë në shtimin e pritjeve në pikat kufitare në hyrje dhe dalje të Serbisë, për çka qytetarët tanë që kanë marrë rrugën drejtë Kosovës duhet të jenë të informuar.

“Ambasadat e Kosovës në Kroacia, Slloveni, Hungari në gjendje gatishmërie. Ambasadat tona në këto shtete janë në gjendje gatishmërie. Edhe sot u kanë dalë në ndihmë, në disa raste, qytetarëve tanë të cilët kanë pritur për disa orë pa e ditur se u kanë skaduar dokumentet e udhëtimit. Ambasadat tonë kanë treguar vigjilencë të lartë duke i pajisur me shpejtësi me dokumente valide udhëtimi”, thuhet tutje.