Qytetarët e Prishtinës këtë muaj do të faturohen dy herë për grumbullimin e mbeturinave.
Kompania “Pastrimi” ka paralajmëruar se nga 1 janari ka filluar me inkasimin e faturave, gjë të cilën deri tash e ka bërë Komuna e Prishtinës.
Mirëpo, edhe kjo e nuk po heq dorë nga këto të hyra, megjithëse ekziston një vendim i asamblesë komunale të dhjetorit të vitit të kaluar, që këto kompetenca i kalohen kompanisë “Pastrimi” me ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për menaxhimin e mbeturinave.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, thotë se ai nuk e sheh legjitim vendimin e asamblesë komunale, i cili u mor nga opozita, PDK-ja dhe VV-ja.
“Kërkoj ndjesë nga qytetarët që ndodhen para një konfuziteti sepse është e vërtetë që ‘Pastrimi’ duke u thirrur në ndryshimet e rregullores që i ka bërë asambleja komunale ka filluar me inkasimin e faturave për vitin 2025, ndërsa edhe ne si komunë për shkak se e kemi një paqartësi juridike nuk kemi ndaluar së rigjeneruari faturat për vitin 2025, jemi duke e bërë një punë të dyfishtë dhe pastaj mbetet të vendoset se kush do të vazhdojë tutje”, ka thënë ai.
Ai ka shprehur besim se insistimi i “Pastrimit” për të inkasuar qytetarët do t’i sjellë dëm të madh kësaj kompanie.
“Vendimet e tjera që janë marrë atë ditë janë në dëm të ndërmarrjes dhe do ta çonte ndërmarrjen në falimentim, është edhe inkasimi. Pra ndërmarrja nuk do të paguhet nga komuna për shërbimin që ofron. ‘Pastrimi’ do të ketë një barrë të rëndë sepse ne ndërmarrjes ‘Pastrimi’ vetëm për shërbimin e amvisërisë i kemi paguar 420 mijë euro në muaj, ndërsa ne si komunë i kemi inkasuar vetëm 40-50 për qind të shumës që e kemi paguar. Pra kemi paguar më shumë se që kemi inkasuar. Në gjendjen që ndodhet kompania ‘Pastrimi’ do ta ketë të vështirë t’i paguajë të ardhurat e punëtorëve, ka borxhe ndaj deponisë në Mirash”, ka thënë ai.
Përveç kësaj, Komuna e Prishtinës nuk e ka anuluar as tenderin ku parashihet marrja e pesë operatorëve privatë për grumbullimin e mbeturinave, gjë e cila është në kundërshtim me rregulloren e cila u ndryshua në dhjetor të vitit të kaluar.
“Fatkeqësisht jemi në një situatë tepër konfuze. Kemi pasur një vendim të asamblesë komunale, vendim politik dhe që në asnjë formë nuk shkon në shërbim të qytetarëve. E para, njëri prej vendimeve me kërkesën e PDK-së dhe me mbështetjen e VV-së ka qenë që ‘Pastrimi’ të mbetet e vetmja kompani që operon në Prishtinë për grumbullimin e mbeturinave. Përkundër faktit që ne si DSHP kemi iniciuar tenderimin për përzgjedhjen e pesë operatorëve privatë, plus ‘Pastrimi’. Pra tentativa jonë ka qenë që të kemi 6 operatorë gjithsej sepse kemi punuar për 2025 me moton ‘Prishtina qyteti më i pastër në rajon’, ndërsa me një vendim të asamblesë komunale e cila për mua se ka ende validitetin e përmbys komplet këtë gjë dhe e kthen kryeqytetin në katrahurë”, ka thënë Brestovci.
Në anën tjetër, kryeshefi i kompanisë “Pastrimi” ka njoftuar se janë duke bërë të gjitha përgatitjet për inkasimin e qytetarëve.
“Ne kemi njoftuar qytetarët se që nga 1 janari KRM ‘Pastrimi’ do të bëjë inkasimin. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimit të rregullores dhe plotësimit të tyre. Nuk e di pse në të kaluarën është inkasuar nga komuna, tash e tutje ndryshon sistemi dhe mënyra e inkasimit dhe faturimit, sidomos faturimit pasi deri më tani faturimi është bërë një herë në tre muaj, tani e tutje faturat do të shpërndahen muaj për muaj. Fatura do të jetë çdo herë në vlerën 6.20 dhe do të bjerë në dorën e qytetarit çdo muaj, më së largu më datën 10. Presim një përgjigje pozitive edhe nga ana e qytetarëve sepse vetëm me pagesë të rregullt të faturave ne arrijmë të bëjmë shërbimin e duhur. Jemi duke bërë përgatitjet tona shumë shpejt do të dalim me një njoftim zyrtar dhe ndërmjet mediave dhe përmes faqes sonë në Facebook ku do t’i njoftojmë qytetarët me mënyrat e pagesës. Fillimisht do të kemi mënyrën fizike ku inkasantët tanë do të dërgojnë faturën direkt te qytetarët dhe do të jepet mundësia të bëhet pagesa. Ndryshe i kemi edhe 9 zona të tjera për shërbimet e pagesave dhe jemi në rrugë të mirë për të gjitha”, ka thënë Petrit Reçica.
Përderisa komuna beson se marrja e përgjegjësisë së inkasimit do të sjellë falimentimin e kompanisë “Pastrimi”, Reçica beson se një gjë e tillë në fakt do t’i sjellë shumë më shumë të hyra.
“Ne procesin e regjistrimit e kemi përfunduar në qershor të vitit 2023. E kemi dërguar një folder me klientë të rinj dhe rifreskimin e të dhënave të klientëve ekzistues. Nga ai vit deri më sot nga komuna e Prishtinës nuk janë regjistruar klientë të rinj. Nga 2023 tarifa në depo është rritur që i bie që ne kemi pas humbje. I bie që ne kemi krijuar shumë shpenzime dhe e njëjta nuk na është kthyer në kundërvlerë. Kjo ka shkaktuar humbje të madhe. Vetëm në vitin 2024 kompania është dëmtuar me 3.5 milionë euro nga ana e Komunës së Prishtinës sepse nuk janë regjistruar 25 mijë klientë të rinj. Fatura është përgjysmuar sepse një pjesë i është paguar operatorit privat. Në total ne jemi dëmtuar 3.5 milionë euro. Po t’i kishim ato, edhe me borxhe do të ishim 0-0 dhe me makineri do të investonim më shumë. Kjo është situata dhe po presim që këtë vit të reflektohet më mirë”, ka thënë ai.
Ndryshe, pas vonesave të shumta, gjatë të enjtes Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje për dhënien e gjashtë kamionëve për kompaninë “Pastrimi”.