Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prishtina merr kredi për projektin e “qytetit të gjelbër”

Komuna e Prishtinës të martën ka zyrtarizuar kredinë nga Banka Evropiane për Rikonstruktim dhe Zhvillim për të asistuar në implementimin e projektit të “Kornizës së qyteteve të gjelbra – efiçienca e energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë”.

Siç thuhet në njoftim të Komunës, kredia e butë prej pesë milionë eurosh do të përcillet nga një grant investimi prej një milion euro. Do të ketë edhe një grant teknik prej 315 mijë euro për implementimin e “elementeve të caktuara të projektit”.

Njoftimi thekson se projekti ka qëllim investimin në masat e efikasitetit të energjisë në ndërtesa publike (kopshte, shkolla e qendra të kujdesit shëndetësor primar) duke përmirësuar dhe ndërruar sistemet e ngrohjes, izolimin termik dhe instalimin e dyerve dhe dritareve më efikase.

“Komuna e Prishtinës është tejet e përkushtuar për të shtyrë përpara projekte të cilat janë në harmoni me ruajtjen e ambientit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovimin e energjisë efiçiente, për të zvogëluar nivelin e ndotjes së ajrit në Kryeqytet dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.