Arbëri

Ndërmjetësimi pa sukses, nxënësit pa shkollë

Foto ilustrim / KOHA

Foto ilustrim / KOHA

Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për t’i dhënë fund grevës, presidentja Vjosa Osmani të shtunën ka mbajtur takime të ndara me sindikalistët, prindërit dhe përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Me gjithë thirrjet e presidentes, SBASHK-u ka thënë se greva do të vazhdojë. Kryeministri Albin Kurti qasjen e SBASHK-ut e ka cilësuar si shantazhuese dhe se nga greva “të gjithë janë humbës”

Presidentja Vjosa Osmani i ka bërë thirrje SBASHK-ut që deri në zgjedhjen afatgjate – e cila, sipas saj, do të vijë pas miratimit të Ligjit për Paga – të shqyrtojë pakon e re financiare si masë lehtësuese. Pas takimit që zhvilloi të shtunën me përfaqësuesit e Sindikatës, Këshillit të Prindërve, të Nxënësve dhe të Asociacionit të Komunave të Kosovës, u kërkua nga mësimdhënësit që t’i hapin dyert e shkollave duke filluar nga dita e hënë, në mënyrë që fëmijëve të mos u cenohet e drejta kushtetuese për shkollim derisa të arrihet një zgjidhje nëpërmjet dialogut.

SBASHK-u ka bërë të ditur se greva vazhdon, përderisa nuk heq dorë nga kërkesa për 100 euro. Krejt këtë qasje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si shantazhuese

Presidentja Osmani: “Zgjidhja mund të arrihet vetëm me dialog e assesi me kushtëzime”

“Dua të theksoj se e drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të cenohet. Duhet t’i bashkojmë forcat për ta përmirësuar cilësinë në arsimin tonë. Për interesin e fëmijëve tonë, mësimi duhet të fillojë menjëherë. Pakon e re financiare të Qeverisë, e vlerësoj se janë masa që ndihmojnë kategori të ndryshme të shoqërisë. I lus sindikatat ta shqyrtojnë këtë pako. Zgjidhja afatgjate do të gjendet vetëm pas miratimit të Ligjit për Paga”, ka thënë Osmani në një konferencë për shtyp pas takimit me palët.

Presidentja ka thënë se është interesi i të gjithëve që grevat të zëvendësohen me dialog të vazhdueshëm dhe se zgjidhja mund të arrihet vetëm me dialog e assesi me kushtëzime. Lidhur me Ligjin për Paga, Osmani është shprehur se është njoftuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, se është një ligj që i trajton mësimdhënësit në mënyrë të dinjitetshme.

Qeveria të shtunën në konferencë për shtyp ka prezantuar pakon e re financiare. Ka njoftuar se nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë për muajt e mbetur të këtij viti fiskal, ndërsa do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 eurosh për punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Pavarësisht takimit dhe thirrjes së presidentes për t’i dhënë fund grevës, përfaqësuesit e SBASHK-ut nuk kanë ndërruar qëndrim.

SBASHK: “Pakoja nuk është realizim i kërkesave tona, 100 euro deri sa të bëhet ligji”

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë pas takimit se greva në institucionet arsimore do të vazhdojë deri në miratimin e kërkesave të tyre.

“Ne e lutëm presidenten që ta shfrytëzojë autoritetin e saj, që të ndikojë që sot ose nesër të ulemi me përfaqësues të Qeverisë, sepse siç i thamë edhe asaj, kjo pakoja, le ta quajnë si të donë, 50 euro, nuk është realizim i kërkesave tona. Ne kemi qenë të qartë. Qeveria mund të japë pako dhe ne i gëzohemi çdo ndihme që i jep kujtdo qoftë në Republikën e Kosovës, por Qeveria duhet të ulet me ne dhe të fillojmë realizimin e kërkesave tona, pra 100 euro çdo muaj derisa të bëhet Ligji i Pagave, të formohen grupet e përbashkëta Qeveri-Sindikatë dhe ta punojmë Ligjin e Pagave bashkërisht”, ka thënë Jashari.

Ai ka thënë se nga Osmani ka marrë zotimin që të ndryshohet kriteri për 15 vjet për skema pensionale për punonjësit kontributdhënës që kanë punuar gjatë viteve të 90-a, në mënyrë që ata ta arrijnë më lehtë pensionin e merituar të punës.

“Është moment i ri që shembullin e presidentes ta marrin edhe kryeministri dhe ministrat që sot ose nesër të ulemi që të bëjmë zgjidhje. Unë ia bëra me dije presidentes se në situatën në të cilën ndodhemi, edhe pas këtij takimi, fatkeqësisht që në situatën që jemi, greva do të vazhdojë”, ka thënë kryetar i SBASHK-ut.

Këshilli i Prindërve: “E drejta kushtetuese e fëmijëve nuk mund të cenohet”

Përfaqësuesit e prindërve ndërkaq i kërkuan presidentes që mësimi të nisë nga e hëna. Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, ka deklaruar pas takimit me presidenten së bashku me Këshillin e Nxënësve, si dhe koalicionin e OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, kanë gjetur mbështetje të plotë nga Presidenca në të gjitha kërkesa.

“Ne vazhdojmë të besojmë që e drejta kushtetuese e fëmijëve tanë për të shkuar në shkollë nuk mund të cenohet me asnjë të drejtë, qoftë edhe për arsye materiale apo të tjera. Duhet të gjendet një zgjidhje tjetër nga pala për t’i mbrojtur të drejtat e tyre, sepse kjo i dëmton kryekëput dhe vetëm prindërit dhe fëmijët”, ka thënë Demi.

Nevojë për dialog e shtruan përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Ferizajt dhe njëkohësisht kryetar i AKK-së, Agim Aliu, ka thënë se në takim me presidenten u pajtuan se duhet të ketë dialog për këtë çështje.

Sa i përket kërkimit të listave të punëtorëve që janë në grevë dhe paralajmërimit se komunat mund të përballen me masa nëse nuk dorëzojnë listat, Aliu ka thënë se masat nuk e zgjidhin problemin.

“Ajo që po mungon është dialogu dhe nuk janë masat që e zgjidhin problemin, duhet ulur të gjitha palët. Komunat nuk janë palë. Listat që kërkohen nga kryetarët e komunave, zakonshëm përfundojnë në çdo datë 10 të muajit vijues. Për pagat e muajit gusht i kemi dorëzuar listat më 10 gusht. Tash më 10 shtator duhet t’i dorëzojmë listat për shtator”, ka thënë Aliu.

Ani se presidentja i dëgjoi ndaras kërkesat e sindikalistëve dhe të palëve të tjera, me gjithë thirrjet për dialog mes Qeverisë dhe SBASHK-ut, greva të shtunën hyri në ditën e nëntë pa ndonjë takim mes këtyre dy institucioneve. Një të tillë kryeministri Albin Kurti nuk e paralajmëroi as në konferencën për shtyp. Për akuzat se nuk ka vullnet dhe gatishmëri për takim me SBASHK-un, ka thënë se nuk ka munguar dialogu social me sindikatat, por se si kryeministër takohet vetëm me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave dhe jo me krerë të degëve sindikale.

Kryeministri Kurti: “Ne nuk shantazhohemi. Nga greva janë të gjithë humbës”

Veprimet sindikaliste të SBASHK-ut i ka kritikuar kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se është e papërgjegjshme që të bëhet vetëm thirrje për rritje pagash, në kohën kur shumica e fëmijëve dalin analfabetë funksionalë.

“Në një Kosovë, kur testet e PISA-s po na nxjerrin tre të katërtat e fëmijëve analfabetë funksionalë, ta shantazhosh Qeverinë, ta kërcënosh Qeverinë me rrënim të shtetit, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi. Nga greva janë të gjithë humbës. Të krijosh ditë pa mësim për fëmijët është papërgjegjësi. Duke nxjerrë analfabetë e duke menduar veç për paga po na shtohen listat sociale. Ose asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor, por po shihni çka po ndodh, veç kërkesë për pare për ta bankrotuar shtetin, për ta shkatërruar shtetin. Thërras racionalitetin e njerëzve. Të jenë të përgjegjshëm e të japin mësim”, ka thënë Kurti.

Kryeministri e ka cilësuar absurde kërkesën për 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.

Të shtunën, Kurti prezantoi një pako të re financiare. Aty përfshihet ndarja nga 50 euro çdo muaj për punëtorët e sektorit publik. Por, sipas tij, kjo është për të luftuar inflacionin dhe s’ka të bëjë me kërkesën për miratimin e Ligjit për Paga.

Sindikata e Bashkuar për Arsim që nga 25 gushti është në grevë. Kërkohen nga Qeveria 100 euro shtesë për mësimdhënësit deri në miratimin e Ligjit për Paga. Përfaqësuesit e SBASHK-ut zhvilluan takime me opozitën ditë më parë.