LAJMET E MBRËMJES

Greva nuk ndërpritet, Kurti e Jashari e fajësojnë njëri-tjetrin për mosndryshim të qëndrimeve

Dy orë bisedime në mëngjesin e së martës midis përfaqësuesve të Qeverisë dhe atyre nga sindikatat nuk prodhuan një rezultat për kthimin e nxënësve në banka shkollore dhe për ndaljen e grevës së përgjithshme.

Greva e nisur që nga 25 gushti do të vazhdojë, pasi që tri ofertat e paraqitura nga Qeveria nuk u pranuan nga sindikalistët.

“Në takim nuk morëm asgjë pozitive dhe kjo nënkupton se, në këtë situatë, anëtarësia prapë do t’i thotë jo pakos dhe që i bie që prapë do të jemi në këtë situatë”, tha kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Kjo deklaratë e kryesindikalistit të Arsimit, menjëherë pas daljes nga takimi, nuk i ka pëlqyer udhëheqësit të ekzekutivit.

“Pra, neve na u tha se për këtë ofertë të Qeverisë do ta pyesin anëtarësinë. Porsa dolën nga takimi, deklaruan për media se greva vazhdon, kur e pyetën anëtarësinë”, tha kryeministri Albin Kurti.

Krahas ndarjes së 50 eurove për tre muaj rresht, sindikalistëve nga Qeveria u është premtuar pjesëmarrja përmbajtjesore në diskutimet publike për Projektligjin mbi Paga dhe që bashkërisht me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të bëhet reforma në sistemin pensional rreth heqjes së pragut prej 15 vjetësh përvojë pune, si dhe për rritjen e buxhetit prej 10 milionë eurosh për barnat esenciale.

“Me mua ata janë sjellë thuajse buxheti i Kosovës është para e imja. Këto janë para të qytetarëve. Thoshin na ndihmo si vëlla, si vëlla të ndihmoj privatisht, unë jam kryeministër dhe ka kaluar koha kur kryeministrit bëhen vëllezërit”, tha Kurti.

Nga ekzekutivi është njoftuar se gjatë kësaj jave, Projektligji për Paga do të dalë në diskutim publik.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se do të ketë ndërprerje të pagesave për grevistët.

“Të procedojmë më tutje siç parasheh legjislacioni në fuqi Ligji për menaxhimin e financave publike që kërkon që të bëhet auditimi i veçantë për këto çështje dhe të shihet nëse ka pasur deklarim të rremë në listat e pagave”, tha Murati.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka shprehur shqetësimin për mbi 300 mijë orët e humbura mësimore. Ajo ka thënë se ato do të kompensohen.

“Do ta bëjmë më të mirën e mundshme që sado pak të kompensohen dëmet që po u shkaktohen nxënësve, pasi është e vërtetë se nuk mund të riparohen tërësisht”, tha Nagavci.

Pas takimit, kryeministri Kurti është akuzuar nga përfaqësues të opozitës për shfaqje të arrogancës ndaj sindikalistëve. Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se ekzekutivi është i interesuar që t’i përçajë sindikatat, e jo të ofrojë një zgjidhje për situatën.