Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenti Meta takon ministrin e Jashtëm maqedonas

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, priti në një takim ministrin e Jashtëm të Republikës së Maqedonisë, Nikola Dimitrov, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Meta vlerësoi vizitën e Dimitrovit në Tiranë si shprehje e vullnetit të qeverisë së re të Maqedonisë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, duke nënvizuar ecurinë e tyre dypalëshe dhe vullnetin që ato të zhvillohen më tej në fushën e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në atë infrastrukturor dhe energjetik.

Presidenti përshëndeti përpjekjet e qeverisë së re të Maqedonisë për vijimin e reformave të rëndësishme demokratike dhe angazhimin e saj për stabilitetin politik e përmirësimin e klimës së bashkëpunimit ndëretnik dhe ndër-qytetar.

Gjithashtu, presidenti Meta shprehu falënderimet për urimin e marrë nga Presidenti Ivanov dhe i kërkoi Ministrit Dimitrov përcjelljen e përshëndetjeve të tij të përzemërta për homologun e tij maqedonas.