Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Presidenti i Letonisë, Eglis Levits, qëndron të premten në Kosovë

Presidenti i Letonisë, Eglis Levits qëndron të premten në Kosovë

Zyra e presidencës së Kosovës ka njoftuar të enjten se me ftesë të presidentes Osmani, presidenti i Letonisë do të qëndrojë të premten në vizitë zyrtare në Kosovë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, nesër (22 prill 2022), pret për vizitë zyrtare Presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits. Në orën 10:00, Presidentja Osmani do ta presë Presidentin Levits me ceremonitë më të larta shtetërore”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Sipas njoftimit, Osmani dhe Levits do të mbajnë konferencë për media pas takimit.

Levits do të pritet edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në orën 12:15, ka bërë të ditur të enjten kabineti i Konjufcës.

Ndërkohë Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për t’i ofruar qarkullim të lirë presidentit letonez, Levits dhe delegacionit të tij, do të bëjë ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta.

“Me qëllim të qarkullimit të lirë të eskortës nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta zyrtare. Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta, do të angazhohen zyrtar policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.