Arbëri

Presidenti i Letonisë, Egils Levits qëndron sot në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të presë për vizitë zyrtare të premten, homologun e saj letonez, Egils Levits.

Sipas agjendës, në ora 10:00, presidentja Osmani do ta presë presidentin Levits me ceremonitë më të larta shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Pas ceremonisë së pritjes, presidentja zhvillon takim me homologun letonez si dhe pas takimit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, në mesditë do të pritet edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Përgjatë kësaj vizite Policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.

"Me qëllim të qarkullimit të lirë të eskortës nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurta kohore, të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta zyrtare. Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta, do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik", thuhet në njoftimin e Policisë.