Presidenca e Kosovës ka thënë se vlerësimi për shtyrjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës i takon institucioneve të vendit. Nga Presidenca është thënë se pret raport të sigurisë dhe kërkesë të KQZ-së para se të vihet në veprim për shtyrje të zgjedhjeve.
“Sipas praktikës së deritanishme, Presidenca mund të vihet në veprim vetëm pas vlerësimit të tillë nga institucionet kompetente të sigurisë dhe pranimit të kërkesës për shtyrjen e zgjedhjeve nga KQZ-ja”, tha këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina.
Ai ka thënë se Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen kërkesa për shtyrje të zgjedhjeve, atëherë do të ftohen partitë në konsultim.
“Presidenca është në kontakt të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe nëse vjen një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, sipas praktikave të Komisionit të Venedikut, presidentja Osmani do t`i ftojë subjektet politike për konsultime dhe më pas do ta marrë vendimin”, tha Kupina.
Zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës do të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa për kuvende komunale më 25 dhjetor.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë të martën se po pret një raport të sigurisë nga Policia e Kosovës, porse ka shtuar se bazuar në situatën aktuale, është e vështirë të vazhdohet sipas planit me zgjedhjet. Reagimi i tij erdhi pasi u sulmuan me shok-bomba në veri zyrtarët e KQZ-së, të cilët ishin me përcjellje të Policisë së Kosovës.