Arbëri

KQZ-ja pezullon aktivitetet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri

KQZ-ja ka miratuar kërkesën e Sekretariatit për të pezulluar gjitha aktivitetet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.

Zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës ishin paraparë më 18 dhjetor, e ato për kuvende komunale më 25 dhjetor.

Por, si pasojë e tensioneve në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konsultim me partitë politike, ka vendosur për shtyrjen e zgjedhjeve deri më 23 prill.

Sekretariati i KQZ-së ka rekomanduar të pezullohen gjitha aktivitetet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Me 10 vota për është arritur dakordim.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se javën tjetër do të dërgohet një shkresë në Komisionin për Buxhet për çështje të buxhetit për zgjedhjet në veri. 

“Rekomandon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pezullimin e të gjitha aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendet e komunave Zveçan dhe Leposaviq... janë disa aktivitete që duhet të bëhen prej fillimit, është fjala për planin operacional i cili duhet të bëhet i ri pasi tash kemi data të reja. Po ashtu, është edhe lista përfundimtare e votuesve e cila duhet të bëhet e re pasi data e zgjedhjeve është 23 prilli dhe të gjithë votuesit që kanë të drejt vote, do të kenë të drejtën e votës, kështu që disa aktivitete të tjera do të na duhet t’i rishikojmë siç është dizajni i fletëvotimeve dhe aktivitete tjera që ndërlidhën me përkrahjen dhe organizimin e zgjedhjeve, sigurisht do të na duhet ta rishikojmë edhe buxhetin pasi një pjesë e buxhetit është shpenzuar”, tha Burim Ahmetaj.

Ai ka thënë se kanë qenë të kujdesshëm, gjatë lidhjes së kontratave, që të arrihet dakordim që pagesat të bëhen në momentin kur merren shërbimet.

Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së kërkoi që KQZ t'i kryejë obligimet ndaj punëtorëve të cilët kanë qenë të angazhuar.

Po ashtu, KQZ-ja u dakordua për hartimin e një plani të ri operacional për organizimin e zgjedhjeve të cilat janë caktuar të mbahen më 23 prill 2023.