Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK: Informatat e deritashme rreth sigurisë për zgjedhje në veri, të pamjaftueshme

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë kërkuar raport më të detajuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të jashtëzakonshme në veri të Kosovës më 23 prill.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, i tha KOHËS se ishte paraparë që anëtarët të mblidheshin të martën, por u shty mbledhja për shkak të raportit të mangët.

“Kemi kërkuar më shumë informacione lidhur me vlerësimin e sigurisë, për hapjen e qendrave të votimit, ku zakonshëm është zhvilluar procesi zgjedhor. Ne kemi pranuar një raport, por e kemi konsideruar jo të mjaftueshëm, për të kuptuar saktë gjendjen”, tha Elshani.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha para mediave se po vijojnë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill, por s’mohoi se ka sfida në këtë proces.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i vazhdon përgatitjet në kuadër të planifikimeve. I kemi parasysh edhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces zgjedhor. Jemi të përkushtuar t’i përmbushim detyrat tona kushtetuese dhe ligjore për planifikimet po bëhen në bazë të dinamikës. Për qendrat e votimit, në mbledhjen e radhës do të miratohet lista e vendvotimeve. Jemi duke i kryer detyrat tona kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, tha Elezi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit. Zgjedhje për kuvendet komunale do të zhvillohen në Leposaviq dhe Zveçan.

Edhe Haxhiu: KQZ-ja dhe institucionet e sigurisë ta vlerësojnë situatën në veri Arbëri Haxhiu: KQZ-ja dhe institucionet e sigurisë ta vlerësojnë situatën në veri

Më 6 prill është certifikuar lista e votuesve.