Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas konsultimit me partitë politike e organet e sigurisë në vend, ka vendosur që zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës t’i shtyjë për 23 prill të vitit të ardhshëm. Ky vendim është marrë për shkak të tensionimit të situatës nga serbët lokalë, të cilët, përveç që po kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve, ka disa ditë që kanë nisur sulme mbi institucionet e zyrtarët e shtetit të Kosovës
Zgjedhjet në katër komunat veriore me shumicë serbe, që do të mbaheshin më 18 e 25 dhjetor, u shtynë për 23 prill të vitit të ardhshëm. Shtyrjes së zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq i parapriu situata e tensionuar në veri tash e disa ditë, ku me mjete të dhunshme po kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve. Vendimin për shtyrje presidentja Vjosa Osmani e mori të shtunën pas një takimi konsultativ që mbajti me partitë politike. Osmani ka thënë vendimin e ka marrë edhe bazuar në raportet e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe të Policisë së Kosovës për vlerësimin e rrezikshmërisë në atë pjesë të vendit. Vendimin për ta zhvendosur datën e zgjedhjeve e kanë mbështetur edhe vendet e QUINT-it. Pavarësisht kësaj, serbët të shtunën barrikaduan rrugët e sulmuan Policinë e Kosovës me armë zjarri, duke kundërshtuar arrestimin e një ish-zyrtari policor serb, i cili u kap të shtunën nga Policia e Kosovës. Pas këtyre zhvillimeve e këtij tensioni në veri, presidenti i Serbisë ka thënë se do t’i kërkojë KFOR-it t’ia lejojë që ushtrinë e Serbisë ta dërgojë në Kosovë.
Ligji për Zgjedhjet Lokale në Kosovë nuk e parasheh mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, por në një arsyetim dhënë ditë më parë, presidentja është shprehur se nëse merret vendimit për ta shtyrë datën e zgjedhjeve, do të bëhet në bazë të opinionit të Komisionit të Venecias, që, siç ka thënë ajo, para se të trajtohet në KQZ e të ketë konsultim me partitë, duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë për kushtet e rrezikshmërinë në zonën ku mbahen ato.

“Bazuar në këto vlerësime, përfshirë raportin që kam marrë nga institucionet e sigurisë, propozimi im sot në këtë takim ishte që të shtyjmë zgjedhjet për kryetarë komunash në këto katër komuna, si dhe për Kuvende Komunale në dy komuna. Diskutuam rreth datës më të përshtatshme, kohës që është e nevojshme dhe në fund me konsensus të plotë, pas këtij propozimit tim, erdhëm në konkluzion që të shtyhen për muajin prill të vitit 2023”, ka thënë Osmani në një konferencë për media pas takimit.
Krasniqi: Dorëzim të Qeverisë para bandave kriminale

Në këtë takim të partive me presidenten nuk ka marrë pjesë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndonëse është deklaruar se është pro shtyrjes së zgjedhjeve. I pranishëm ka qenë edhe ish-ministri për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, që është edhe kandidat për kryetar të Leposaviqit. Në këtë takim Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka prishur konsensusin për mosmbajtjen e zgjedhjeve pas 10 ditëve, por megjithatë i ka drejtuar kritika të shumta Qeverisë. Sipas Vlora Çitakut, që përfaqësoi PDK-në, me shtyrjen e zgjedhjeve, ekzekutivi ka shpërfaqur dështimin e vet për të vepruar në veri të Kosovës. Ajo ka shtuar se shteti nuk guxon të dorëzohet para bandave kriminale.
“Për PDK-në, Republika është e para, do ta mbajmë konsensusin, jemi parti shtetndërtuese dhe jo shtetrrënuese. Imagjinoni sikur partia që është në pushtet do të ishte në opozitë. S’duam t’i riciklojmë modelet e kaluara të opozitëbërjes”, ka thënë Çitaku pas përfundimit të takimit.
Më vonë, me reagim ka dalë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
E ka quajtur dorëzim të Qeverisë para bandave kriminale në veri. Ka thënë se presidentja s’ka mandat për t’i shtyrë zgjedhjet.
“Sot, i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes Osmani për takim konsultativ, duke konsideruar se mbajtja e zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit, përveç obligim kushtetues, është edhe interes nacional. Që nga shpallja e zgjedhjeve, e tëra që kemi kërkuar si PDK nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse ka qenë garantimi i sigurisë dhe kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike. Por, fatkeqësisht, sot kuptuam se Qeveria ka dështuar në zbatimin e mandatit të saj për t'i krijuar këto kushte. Përderisa për shpalljen e zgjedhjeve presidentja përmbushi një obligim kushtetues, për shtyrjen e tyre ajo nuk ka një mandat të tillë. Konsensusi i kërkuar nga partitë politike sot nuk është obligim ligjor. Tentimi i presidentes dhe kryeministrit për t’u fshehur prapa këtij konsensusi është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja nuk mund ta imponojë mbajtjen e zgjedhjeve si e vetme, duke shtuar se “kjo Qeveri sot e pranoi se nuk është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të cilin e shkaktoi dhe e kërkoi edhe vetë”.
“Ky dorëzim i Qeverisë para bandave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës e dobëson shtetin, e vështirëson edhe më tej gjendjen atje dhe e sfidon tutje rendin kushtetues. Instalimi i barrikadave sot në veri, në kohën kur po merrej vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve, është dëshmi se kjo tërheqje e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut. Qeveria duhet të japë përgjegjësi për këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara”, ka thënë tutje Krasniqi
Kreu i PDK-së ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se në ditët e mëhershme ka pasur veprime të pamatura e në kundërshtim me interesat e vendit.
“Nëse kthehemi vetëm pak ditë prapa, kujtojmë se ishte pikërisht kryeministri Kurti që nisi një zinxhir të veprimeve të pamatura dhe në kundërshtim me interesat e vendit dhe këshillat e aleatëve tanë kryesorë, SHBA-së, të cilat si përfundim krijuan krizë institucionale e shtetërore atje. Ajo krizë, e cila vazhdoi të keqmenaxhohet, solli edhe zgjedhjet – për mbajtjen e të cilave kryeministri dhe Qeveria tani u zmbrapsën”, ka thënë Krasniqi.
QUINT-i: Shtyrja, vendim konstruktiv
Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër, nga persona të panjohur. Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri. Sulme në veri ka pasur edhe të mërkurën, ndërsa të enjten në mbrëmje një zyrtar i Policisë së Kosovës është plagosur në krah nga një sulm me armë të gjata në Zveçan. Pas ngritjes së këtyre tensioneve në veri, partnerë ndërkombëtarë, në mesin e tyre Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Gjermania, i kërkuan Kosovës që ta shtyjë datën e zgjedhjeve. Vendimin që presidentja e mori në linjë me këtë kërkesë e kanë mirëpritur ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e Bashkimit Evropian, nëpërmjet një komunikate të shtunën vlerësuan se vendimi i institucioneve për shtyrje i kontribuon situatës në veri e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë.
“Vendimi konstruktiv avancon përpjekjet për të ndihmuar në situatë më të sigurt në veri, që është kyç për dialogun e lehtësuar nga BE-ja si e vetmja rrugë përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në reagimin e QUINT-it.
Në kohën kur presidentja mblodhi përfaqësuesit e partive politike për t’u konsultuar për zgjedhjet, serbët lokalë nisën bllokimin e rrugëve në disa fshatra të veriut të Kosovës.
Serbët u kthehen barrikadave, shok-bomba e sulme ndaj policisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se është sulmuar në tri raste të ndryshme me armë zjarri nga grupet që ajo i ka quajtur kriminale në rrugën që të çon në drejtim të pikës kufitare në Bërnjak. Por sulme, sipas informacioneve të Policisë, ka pasur edhe në disa lokacione të tjera. Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka mbyllur përkohësisht rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë. E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi zyrtar do t’i dërgojë kërkesë komandantit të KFOR-it që të sigurojë hyrjen e ushtrisë serbe në territor të Kosovës
Të paktën dy kamionë dhe disa vetura autoambulanca janë vendosur nga serbë lokalë në rrugët e fshatit Rudar të Zveçanit mesditën e së shtunës duke i bllokuar për qarkullim. Barrikadat kanë vazhduar edhe gjatë mbrëmjes. Herë pas herë janë dëgjuar edhe shpërthime, që dyshohet të kenë qenë shok-bomba apo edhe mjete të forta piroteknike, të cilat janë hedhur para këmbëve të ekipeve të mediave që raportonin nga vendi i ngjarjes.
Thirrjet e para për barrikadim të rrugëve u bënë në këtë fshat të Zveçanit, në shenjë proteste për arrestimin nga Policia e Kosovës të ish-pjesëtarit të saj, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se e ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri të vendit, ditë më parë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se Pantiqi është arrestuar nën dyshimin se ka kryer vepra terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues. Sipas ministrit të Brendshëm, për ofrim të sigurisë për qytetarët dhe për sjellje para drejtësisë të shkelësve të ligjit, institucionet e Kosovës nuk mund t’i ndalë asgjë.
“Grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok. Ftoj të gjithë qytetarët për ruajtje të qetësisë e në veçanti qytetarët tanë të etnisë serbe që të mos bëhen pjesë e organizimeve të grupeve kriminale në veri”, ka shkruar ministri.
Ndërkaq arrestimin e tij, shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviq, e ka quajtur hakmarrje të Kurtit ndaj serbëve që u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës.
“Bëhet fjalë për hakmarrje brutale dhe frikësim nga Albin Kurti, i cili vendosi të përndjekë tani policët serbë, të cilëve, pa asnjë bazë apo provë, po përpiqet t'u atribuojë akte me të cilat nuk kanë lidhje, për të tentuar të frikësojë të gjithë serbët. Me këtë Kurti dëshiron të hakmerret për largimin e të gjitha institucioneve në veri, përfshirë edhe policinë”, ka thënë Petkoviq.
Sulme të vazhdueshme ndaj policisë
Rreth 100-200 metra larg barrikadave kanë qëndruar pjesëtarët e KFOR-it e më larg tyre janë parë edhe vetura të Policisë së EULEX-it.
Ndërkaq dy vetura të Policisë kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në fshatin Shupkoc, në rrugën nacionale Mitrovicë-Leposaviq që të dërgon më fshatin Rudar dhe kanë paralajmëruar veturat që kanë tentuar të kalojnë për rrezikun që mund t’u kanoset.

Patrulla të Policisë ka pasur edhe në “Lagjen e Boshnjakëve”, ku është raportuar mbrëmje e qetë.
Policia e Kosovës në komunikatë pasditen e së shtunës ka thënë se është sulmuar në tri raste të ndryshme me armë zjarri nga grupet, që ajo i ka quajtur kriminale, në rrugën që çon në drejtim të pikës kufitare në Bërnjak.
Por sulme, sipas informacioneve të Policisë, ka pasur edhe në disa lokacione të tjera.
“Persona nga grupe të caktuara kriminale, të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore, të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të pikës kufitare të Bërnjakut. Njësitet policore, në vetëmbrojtje, janë detyruar t’u kundërpërgjigjen me armë zjarri grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Policia ka theksuar se nuk ka informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara.
Pas krijimit të kësaj situate në veri, Policia e Kosovës ka vendosur që t’i mbyllë përkohësisht rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Nga Policia kanë njoftuar se barrikadimi ka ndodhur në disa rrugë, përfshirë edhe rrugët nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut.
“Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të pikës kufitare Jarinjë, Policia e Kosovës të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim”, thuhet në njoftimin e Policisë, që ka ftuar qytetarët të mos bien pre e thirrjeve të personave a grupeve kriminale.
Vuçiq: Do t’i kërkojmë KFOR-it ta lejojë hyrjen e ushtrisë serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi zyrtar do t’i dërgojë kërkesë komandantit të KFOR-it që të sigurojë hyrjen e ushtrisë serbe në territor të Kosovës “në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”. Megjithatë, ai ka shtuar se e di që një kërkesë e tillë do të refuzohet. Sipas tij, “është mirë që të dihet se një kërkesë e tillë është bërë, ashtu që askush të mos thotë se s’ka ardhur kurrë një gjë e tillë nga pala serbe”.
“Ne do të kërkojmë nga komandanti i KFOR-it që të sigurojë dërgimin e personelit të Ushtrisë dhe Policisë së Republikës së Serbisë në territor të Kosovës”, ka thënë Vuçiqi. Megjithatë ka shtuar se “s’ka asnjë iluzion” që kërkesa do të pranohet.
Në një konferencë për media të shtunën në mbrëmje, Vuçiqi ka thënë se “pa asnjë bazë” është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq, që nga institucionet e Kosovës po dyshohet për sulme ndaj KQZ-së dhe Policisë.
Vuçiqi ka akuzuar Qeverinë e Kosovës “për frikësim të qytetarëve serbë”.
Sipas Vuçiqit, polici Ekrem Neziri nuk është plagosur nga armët, por është lënduar nga xhamat.
Në konferencë, ai ka akuzuar Kosovën për mosimplementim të Marrëveshjeve të Brukselit. Ka thënë se edhe pse Kosova nuk po e krijon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pret që ndaj Serbisë të ketë “presion” nga 17 dhjetori, nëpërmjet përfaqësuesve evropianë.
Presidenti i Serbisë po ashtu ka thënë se më 15 dhjetor, Kosova do të aplikojë për pranim në Bashkim Evropian, duke e quajtur këtë si “kolaps të Marrëveshjes së Washingtonit”. Si kundërpërgjigje, Vuçiqi u ka dërguar letër shteteve mosnjohëse të Kosovës.
“U kam dërguar letër presidentëve dhe kryeministrave të pesë shteteve që s’e kanë pranuar Kosovën, sepse në pajtim me nenin 49 të traktatit të Bashkimit Evropian, vetëm shtetet sovrane dhe të pavarura mund të aplikojnë për pranim...”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se i ka falënderuar krerët e Qipros, Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë e Spanjës.
Kurti: Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë, Kosova do të fitojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë, ndërsa Kosova do të fitojë, pas bllokimit të rrugëve në veri nga strukturat paralele të shtunën. Kurti ka theksuar se mosdënimi i veprimeve të serbëve në veri nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas tij, do ta nxisin Beogradin zyrtar për më shumë destabilizim të Kosovës. Ka bërë thirrje që barrikadat në veri të hiqen menjëherë.
“Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-së i kësaj dhune të orkestruar do ta inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës. Ministri i Brendshëm, Sveçla, është në kontakt me komandantin e KFOR-it, Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, ka shkruar kryeministri Kurti.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar se shteti i Kosovës t’i shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka për heqjen urgjente të barrikadave dhe çdo pengesë tjetër në veri.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se Qeveria e Serbisë të heqë dorë menjëherë nga politika luftënxitëse dhe t'i tërheqë nga veriu njësitë e veta paramilitare.
“Shteti i Kosovës të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka për heqjen urgjente të barrikadave dhe çdo pengese tjetër në veri. Qeveria e Serbisë të heqë dorë menjëherë nga politika luftënxitëse dhe t'i tërheqë nga veriu njësitë e veta paramilitare. Apeloj te BE dhe SHBA që të ndërhyjnë me qëllim të qetësimit të situatës në veri. Paqja është e pa alternativë! Kosova dhe Serbia të ulen dhe ta arrijnë marrëveshjen e paqes për njohje të ndërsjellë!”, ka shkruar ai në Facebook.
Në komunat veriore me shumicë serbe që nga e marta kanë nisur sulmet ndaj institucioneve të Kosovës e ndaj zyrtarëve të Policisë, duke kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve. Madje, të enjten mbrëma një polic u plagos me armë zjarri.