Arbëri

Osmani: Vendimi për zgjedhjet në veri çështje ditësh

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi nëse do të shtyhen apo jo zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës do të merret për pak ditë.

Osmani ka folur në Prishtinë pas manifestimit në kuadër të 16-ditëshit të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave.

Ajo ka thënë se po pret raportin e institucioneve të sigurisë për situatën në veri.

Ajo ka thënë se do të takohet sot me disa prej institucioneve të sigurisë.

“Kam kërkuar raport të sigurisë në fakt në baza ditore. Sot kam takime me disa prej institucioneve të sigurisë, të cilat përafërsisht çdo orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në veri. Këto janë vlerësime që bëhen nga institucionet e sigurisë në baza ditore megjithatë tani na u duhen edhe m shpesh për shkak të zhvillimeve kështu që në momentin që ta marrë raportin e plotë do të kemi pasqyrë edhe më të qartë sa i përket çështjes së zgjedhjeve”, tha Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani ka shpjeguar se si rrjedh procedura deri te shtyrja e zgjedhjeve, në rastet kur një gjë e tillë nuk përcaktohet me ligj.

Ajo ka thënë se raporti i institucioneve për situatën e sigurisë fillimisht shqyrtohet në KQZ dhe iu takon atyre të vlerësojnë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve që pastaj kërkesa i drejtohet Zyrës së Presidentes.

Osmani ka shtuar se me të marrë një kërkesë të tillë nga KQZ-ja do të konsultohet me partitë politike dhe vendimi do të merret duke u bazuar në konsensusin mes tyre.

Ajo ka thënë se në këto konsultime do ta ftojë edhe Listën Serbe, por se iu takon atyre nëse do të marrin pjesë.

“Unë tani po ju njoftoj se si është procedura. Si rregull, ekzistojnë kritere të caktuara të cilat janë të caktuara nga Komisioni i Venecias për çështjet të shtyrjes së zgjedhjeve. Në rastet kur shprehimisht ligji nuk e parasheh të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve, siç është rasti i Kosovës, atëherë e para duhet të bëhet, në këtë rast vlerësimi nga institucionet e sigurisë. Ky vlerësim duhet të trajtohet në KQZ dhe në KQZ duhet të ketë një propozim për të propozuar një gjë të tillë në qoftë se ata e vlerësojnë si të nevojshme pastaj ai vlerësim vjen në Presidencë. Mirëpo, Komisioni i Venecias kërkon që Presidenca patjetër të konsultojë partitë politike dhe në rastet kur shprehimisht nuk përcaktohet me ligj një e drejtë e tillë atëherë duhet që këto konsultime me partitë politike të ketë një lloj konsensusi. Pra, nuk mundesh në qoftë se shumica dërmuese e partive nuk janë pro të merret kokë me vete si ka ndodhur në të kaluarën, sepse do të ishte në kundërshtimi me standardet ndërkombëtare për shtyrjen e zgjedhjeve. Prandaj nëse një kërkesë e tillë vjen pasi t`i dërgohet vlerësimi i institucioneve të sigurisë KQZ-së, si presidente natyrisht që unë do ta bëjë vlerësimin tim dhe atë do ta ndajë me partitë politike por patjetër duhet të ketë edhe konsensus, jo unanimitet të plotë ajo nuk kërkohet por konsensus. Në qoftë se ka konsensus, një shumicë dërrmuese e partive politike që marrin pjesë në konsultime atëherë ky do të jetë një vendim i përbashkët pra kështu është pak a shumë procedura dhe besoj që në dy tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet”, tha Osmani. “Ata ftohen se janë parti e përfaqësuar në Kuvend. Si rregull në këto konsultime unë i ftoj të gjitha partitë që janë të përfaqësuara në parlament edhe në qoftë se e kanë vetëm një deputet dhe përveç kësaj ftohet të gjitha ato parti që janë të regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje. Do të ftohen, a to të marrin pjesë, është çështja e tyre”.

Zgjedhjet për kryetarë të komunave veriore është caktuar për 18 dhjetor ndërsa për kuvende komunale më 25 dhjetor.

Në dy ditët e fundit ka pasur hedhje të shokë-bombave e të shtëna në komunat veriore. Këto nisën të martën kur zyrtarët e KQZ-së tentuan që të futen në zyrat e komisioneve zgjedhore komunale.