Arbëri

Prej 10 ditësh policia nuk dorëzon kallëzim penal për nxënësit e rritur, që i sulmuan më të vegjlit

Ende nuk është dorëzuar kallëzimi penal në Prokurori për nxënësit e klasave të 8-ta dhe të 9-a të një shkolle në Prishtinë, që i sulmuan pesë nxënës të ciklit të ulët. E, drejtori i shkollës kërkoi falje, pasi një ditë më parë këtë sulm e quajti “lojë fëmijësh”

Ka dhjetë ditë prej kur pesë nxënës të ciklit të ulët të shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë janë sulmuar nga katër nxënës të klasave të 8-a dhe të 9-a të së njëjtës shkollë. Por, policia ende nuk ka dorëzuar në Prokurori kallëzim penal, kanë konfirmuar në organin e akuzës.

“Hetuesit janë në përpilimin e kallëzimit penal dhe ende nuk është dorëzuar në Prokurori. Për më shumë informacione, ju lutem, adresohuni në Policinë e Kosovës”, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë.

E, në Polici nuk kanë treguar pse nuk është bërë kallëzimi. Pyetjeve të KOHËS u janë përgjigjur duke e dërguar raportin 24-orësh.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë të mitur, pasi që të njëjtit e kishin kanosur viktimën mashkull kosovar - i mitur. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Sulmin që ka ndodhur në oborrin e shkollës, drejtori Xhavit Berisha e cilësoi një ditë më parë si “lojë fëmijësh”. E, të premten ka kërkuar falje.

“Veç lojë fëmijësh nuk mundet me qenë. Prandaj, e shfrytëzoj rastin dhe kamerat tuaja që të gjithë prindërit e fëmijëve të atakuar, që janë ndier të fyer nga ajo fjalë e dalë nga konteksti prej meje, unë ju kërkoj falje. Po të mos ishte rasti i ndjeshëm, ne si menaxhment i shkollës nuk do të intervenonim te policia, të qendra për punë sociale, te Komuna, për arsye se rastet nuk fshihen”, ka deklaruar Xhavit Berisha, drejtor i shkollës fillore “Xhavit Ahmeti”.

KOHA edhe të premten e ka kontaktuar Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës lidhur me incidentin, por nuk ka marrë përgjigje.

Më 10 qershor, katër nxënës të shkollës fillore “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë – tre të klasës së nëntë dhe një i klasës së tetë, në oborrin e shkollës dyshohet se i kanë sulmuar pesë nxënës të ciklit të ulët, nga klasa e parë deri në të pestën.

Prindi i njërit prej fëmijëve të sulmuar, Bujar Bajqinca, ka deklaruar se djalit të tij kanë tentuar t’ia djegin flokët dhe ta zhveshin.