Shpërndarja e dërgesave në veri të vendit nga Posta e Kosovës po has në vështirësi. Në dhjetëra raste Posta nuk ka mbërritur as për palët me vendbanim në veri kur gjykatat dërgonin ftesa. Gjyqtarët janë ankuar së fundi se dërgesat po u kthehen me arsyetimet se “nuk është gjetur adresa” dhe “shkaku i situatës”. Për pasojë, shumë seanca janë anuluar. Gjykata Themelore në Mitrovicë ka kërkuar edhe ndihmën e Policisë, por e pranon se ky institucion nuk mund ta kryejë punën e Postës
“Shpejt, sigurt dhe lirë” është slogani i Postës së Kosovës, i vendosur në një pano të madhe edhe në Drejtorinë e saj në Prishtinë.
Por këtë ofertë ndërmarrja publike nuk po e ofron, sidomos në veri të vendit.
Gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mentor Bajraktari e Valon Kurtaj, që gjykojnë raste të dala prej aktakuzave të Prokurorisë Speciale, kanë thënë gjatë shqyrtimeve gjyqësore në tremujorin e fundit se dëshmitarëve nuk po u shkojnë ftesat.
“Në adresën që është siguruar nga i akuzuari edhe nga ana e Policisë nuk ka mundur të bëhej dorëzimi i thirrjes”, ka thënë Bajraktari.
Të njëjtën e ka pohuar edhe Kurtaj në një seancë.
“Janë kthyer thotë shkaku i situatës, nuk kemi mundur t'i ekspozonim...domethënë kemi problem me Postën, kemi problem me dërgimin e shkresave”, është shprehur ai
Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ku situata është rënduar pas dorëheqjes së prokurorëve, gjyqtarëve, policëve e nëpunësve serbë, thonë se dhjetëra seanca në katër muajt e fundit janë shtyrë shkaku që shkresat nuk janë dorëzuar te palët në veri të vendit.
“Me këtë problem më së shumti përballet Gjykata Themelore në Mitrovicë, me të njëjtat ankesa dhe shqetësime që nga data 7.11.2022. Janë rrethana që na paraqesin vështirësi serioze në trajtimin e lëndëve. Ju njoftojmë se në kohën e fundit kemi pasur disa fletëdërgesa që janë përcjellë nga zyrtarët kompetentë të Postës në adresat e cekura nga gjykata. Sa i përket mundësisë së zgjidhjes së problemit përmes Policisë, ne kemi provuar edhe me këtë alternativë. Por, mundësitë janë të vogla. Policia nuk ka mundësi të merret me ftesat e gjykatës në terren për pjesën veriore. Policia është duke vepruar sipas urdhëresave të gjykatës në pikat kufitare në raport me palët e pandehura në procedurë”, thuhet në përgjigjen e kësaj Gjykate.
Në Postë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me mosshpërndarjen e dërgesave në veri. Në këtë ndërmarrje jozyrtarisht si arsye për mosshpërndarje kanë përmendur barrikadat që ishin vendosur vitin e kaluar, mospranimin e dërgesave nga palët dhe shqetësimet e sigurinë për postarët nga komuniteti serb.
Por, problemet nuk janë eliminuar as pas largimit të barrikadave. Seanca e fundit e anuluar shkaku i kësaj është një civile e datës 16 mars. Shkresat e gjykatës në Mitrovicë janë kthyer mbrapsht me arsyetimet se “nuk është gjetur adresa” dhe “shkaku i situatës”.
Kosova dhe Serbia më 2013, në kuadër të dialogut në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshjen për Telekomin, e cila legjitimonte praninë e Postës së Serbisë në Kosovë. Sipas saj, palët pajtohen që lidhur me çështjet postare të merren vesh në të ardhmen. Posta e Kosovës nuk u shtri në tërësi në veri as 10 vjet pas marrëveshjes, ashtu siç nuk u shtrinë në tërësi valët e operatorëve të telefonisë Vala dhe Ipko.