Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Poshtë Ibrit, vetëm në Graçanicë respektohet thirrja e Listës Serbe për ditë zie

Shumica e komunave me shumicë serbe poshtë lumit Ibër nuk e kanë respektuar thirrjen e Listës Serbe që të mbahet tri ditë zie për tre sulmuesit e vrarë në Basnjkë. Ditë zie pati në Graçanicë, por jo edhe në Shtërpcë, Novobërd e Ranillug, ndonëse edhe ato udhëhiqen nga Lista Serbe

Në gjysmështizë kanë qëndruar edhe të mërkurën flamujt e Serbisë në Komunën e Graçanicës, të banuar me shumicë serbe.

Graçanica i është përgjigjur thirrjes së subjektit politik Lista Serbe që udhëheq me këtë komunë, për të mbajtur tri ditë zie për vrasjen e tre sulmuesve serbë në Banjskë të Zveçanit. Në tri komuna të tjera poshtë Ibrit, që KOHA i ka vizituar të mërkurën, nuk pati ditë zie.

E qytetarët e Graçanicës, ndryshe nga vetë institucioni, kanë shprehur keqardhje edhe për policin e vrarë në Banjskë, Afrim Bunjaku.

“Ndiej keqardhje për të dyja palët. Janë njerëz”, ka thënë një qytetar serb.

“Është punë e politikës, unë me politikë nuk kam kurrgjë. Ishalla, unë po ua them si qytetar me u bë mirë për krejt. Kurrë mos me u bë qashtu. Me u bë mirë edhe për shqiptar, edhe për serb, edhe për rom, goran e turk, për krejt qytetarët me u ba mirë”, ka thënë qytetari serb, Petkoviq Dimitrje.

Edhe “Për të shmangur politizimin”, s’mbahet një minutë heshtje për Bunjakun Arbëri “Për të shmangur politizimin”, s’mbahet një minutë heshtje për Bunjakun

Lista Serbe drejton edhe Shtërpcën, por aty të mërkurën nuk pati ditë zie.

“Ne sapo përfunduam mbledhjen e Kuvendit Komunal dhe kemi pritur se flamuri serb do të ulet në gjysmështizë, pastaj pritëm se do të ketë edhe një minutë heshtje për të vrarët në veriun e Kosovës, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe shkoi gjithçka në rregull. Situatë e qetë, komunikim i ndërsjellë dhe vlen të theksohet se kjo seancë vazhdoi me mbarëvajtjen sikur të gjitha seancat e tjera”, ka thënë Afet Hasani – kuvendar i LVV-së.

Ditë zie nuk pati as në Novobërd, Kuvendi Komunal i së cilës ka më së shumti asamblistë serbë. Para ndërtesës së Komunës valonte vetëm flamuri i Kosovës.

“Heshtazi ka deshtë kryesuesja të anashkalojë një minutë heshtje, por vetëm shprehi keqardhje, njëkohësisht edhe për policin e vrarë, po në të njëjtën kohë e bëri barazimin edhe me terroristët të cilët e kanë sulmuar integritetin territorial dhe dhunshëm e pabesisht e kanë vra edhe policin i cili tashmë është hero i kombit.... Pas njëzet minutash diskutime, është mbajtur një minutë heshtje për heroin e kombit, policin e vrarë Afrim Bunjaku, që një pjesë e Listës Serbe u ngrit në këmbë pa dëshirë, megjithatë Kuvendi i Artanës e mbajti një minutë heshtje për heroin e kombit”, ka thënë përfaqësuesi i LVV-së në Komunën e Novobërdës, Avdyl Gashi.

Edhe Opozitarët serbë kërkojnë sqarim për rolin e Serbisë në Banjskë Arbëri Opozitarët serbë kërkojnë sqarim për rolin e Serbisë në Banjskë

Thirrja e Listës Serbe, sipas informacioneve të KOHË-s nuk u mor parasysh as në Komunën e Ranillugut.

Të hënën subjekti politik, Lista Serbe shpalli 3 ditë zie në komunat me shumicë serbe.