Arbëri

“Politico”: Kurti bashkoi amerikanët në zemërimin ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur të pamundurën në politikën amerikane: konsensusin në mes demokratëve dhe republikanëve, ka thënë Matthew Karnitschnig, korrespondenti kryesor i mediumit prestigjioz “Politico” për Evropë.

“Fatkeqësisht për Kurtin (dhe shtetin e tij), pika e pajtimit është se lideri i Kosovës është kokëfortë dhe në raste, politikan i pamatur që ka minuar përpjekjet e përbashkëta SHBA-Evropë për të arritur zgjidhje të qëndrueshme për paqen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai në një analizë të publikuar të martën.

Sipas Karnitschnigut, Washingtoni ka dështuar deri tash me kritikat publike ndaj Kurtit për situatën e tensionuar në veri.

Ai ka përmendur deklaratat e ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, që hodhi dyshime nëse Kurti mund të llogaritet partner, dënimin e hapur të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken e kritikat e Richard Grenellit, që ka shërbyer në administratën Trump. Karnitschnig ka shprehur befasinë me kritikat publike të administratës së Bidenit, duke thënë se Kosova është projekt i liderëve demokratë që nga koha kur presidenti Bill Clinton udhëhoqi kampanjën e NATO-s ndaj Jugosllavisë. “Shumë demokratë e shohin Kosovën si shembull të rrallë të suksesit të shtendërtimit nga amerikanët”, ka thënë ai.

Karnitschnig ka thënë se deri tash Kurti s’ka treguar se është i gatshëm të tërhiqet prapa, duke akuzuar Serbinë për shkaktim të trazirave në veri.

Karnitschnig ka vazhduar se pavarësisht se në Perëndim Vuçiqi nuk mund të konsiderohet si engjëll, Serbia mbetet “forca” e rajonit dhe se SHBA-ja dhe BE-ja duan të sigurohen që të mos bjerë në ndikimin e mëtejmë të Rusisë. Ai ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë neutral për luftën në Ukrainë, por kurrë për rastin e Kosovës.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në veri dhe tensionet në ngritje, Karnitschnig ka kaluar edhe te çështja e ngecjeve në dialog e te “vetëmenaxhimi i duhur i komunave me shumicë serbe”.

“Në një kohë kur SHBA-ja dhe BE-ja janë të fokusuara me luftën ruse në Ukrainë, gjëja e fundit që u duhet është një tjetër konflikt në kontinent. Kjo duket se do të jetë përllogaritja e tyre për të detyruar Kurtin të tërhiqet. Pavarësisht nëse kritikat ndaj Kurtit janë të drejta, tensionet e fundit në Kosovë ofrojnë një përkujtim për dështimet e Perëndimit në rajon dhe koston e lënies së konfliktit që të zihet për vite me radhë”, ka shkruar ai.