Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në kuadër të vizitës së tij në SHBA, gjatë së hënës ka marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Hudson Insitute në New York me temë "Partneriteti në rritje Kosovë - ShBA në mbrojtje dhe zhvillim".
Siç njofton ZKM-ja, Kurti gjatë këtij diskutimi ka folur edhe për rreshtimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq krah Rusisë dhe refuzimit të sanksionojë shtetin rus.
“Presidenti Vuçiq në Beograd po mundohet të blejë kohë, duke shfrytëzuar përçarjet midis institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare, ndërkohë që refuzon të sanksionojë Rusinë dhe mban lidhje të ngushta sigurie dhe ekonomike me Moskën. Kritikat javore ndaj regjimit të tij rrallë përkthehen në veprime vendimtare të BE-së”, ka deklaruar Kurti duke shtuar se një fitore e Rusisë në Ukrainë do të inkurajonte ambiciet revizioniste të Serbisë në Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë.
Kurti theksoi se Kosova qëndron fort me SHBA-në në fjalë e në veprime.
“Kosova nuk po kërkon të shihet vetëm si përfituese e mbështetjes së NATO-s dhe SHBA-së. Ne jemi një kontribues sigurie, një partner zhvillimi ose një aleat i palëkundur. Në një rajon ku ndikimi rus shfrytëzon përçarjet, Kosova qëndron fort me Shtetet e Bashkuara - në fjalë, në politika dhe në veprime”, citohet të ketë thënë Kurti.
Në këtë diskutim të pranishëm ishin Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i Hudson Institute, John Walters dhe hulumtues të lartë të Institutit nga Qendra për Evropë dhe Euroazi dhe Qendra për Paqe dhe Siguri në Lindjen e Mesme.