Pas sulmit terrorist në Banjskë, autoritetet e sigurisë së Kosovës kanë njoftuar se kanë konfiskuar nga grupi i armatosur i serbëve armë e pajisje të tjera ushtarake në vlerë prej mbi 5 milionë euro. Për fatin e tyre, në Polici kanë thënë se duhet pritur përfundimin e të gjitha procedurave ligjore. E në aspektin ligjor, sipas avokatit Valdet Gashi, ekzistojnë dy mundësi – asgjësimi apo përdorimi i tyre nga institucionet e sigurisë
Mbi 5 milionë euro është kalkuluar nga autoritetet se është vlera e arsenalit të armëve dhe të pajisjeve të tjera ushtarake që u sekuestruan në fshatin Banjskë të Zveçanit, pas sulmit të së dielës ndaj Policisë së Kosovës. Këtë arsenal, që i ka takuar grupit terrorist i cili u strehua në Manastirin e fshatit, e prezantuan ditë më parë autoritetet e rendit në Kosovë.
E për përcaktimin e mënyrës së veprimit lidhur me to, në Polici kanë thënë se fillimisht duhet të pritet përfundimi i procedurave ligjore.
“Lidhur me interesimin tuaj ju njoftojmë se veprimet që ndërmerren në raste të konfiskimeve të provave janë të parapara me procedura ligjore dhe janë vendime që merren edhe nga organet e drejtësisë, të cilat lëshohen pas përfundimit të të gjitha procedurave të parapara, në raste të tilla përfshirë edhe ekzaminimet forenzike”, thuhet në përgjigjen nga Policia e Kosovës.
Avokati Valdet Gashi thotë se për të tilla raste, ligjërisht ekzistojnë dy mundësi.
“Në qoftë se vlerësohet se policia mund të ketë nevojë për përdorimin e tyre, atëherë me vendim të gjykatës mund të lejohet një përdorim i tillë dhe alternativa e dytë, natyrisht që është më praktike dhe e zakonshme te ne shkatërrimi i tyre, me vendim të Gjykatës”, thotë ai.
Sipas tij, çdo armatim që sekuestrohet i nënshtrohet një procedure të konfirmimit, në të cilën identifikohen kalibrat e tyre, markat e detaje të tjera.
Por Gashi, i cili ka qenë edhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme, thotë se armatimi i gjetur në Zveçan duhet të asgjësohet edhe për shkakun e dallimit që ai e ka me armët që përdoren nga mekanizmat e sigurisë në Kosovë.
“Besoj që janë armatim për të cilat Policia e Kosovës nuk i është nënshtruar trajnimit dhe natyrshëm që nuk mund të përdorë një armatim për të cilin nuk ka trajnimin e duhur dhe nuk ka interes që ta përdorë këtë armatim. Institucionet, pavarësisht vlerës relativisht të madhe të këtij armatimi, nuk do ta përdorim, sepse paraprakisht është i përcaktuar moduli i armatimit, i cili përdoret zyrtarisht nga Policia e Kosovës dhe mekanizmave të tjerë të sigurisë”, thotë avokati Gashi.
Gjatë operacionit hetimor që nisi të dielën, e që ka vazhduar për disa ditë, në fshatin Banjskë, mes tjerash, janë gjetur me dhjetëra automjete ushtarake, mina, zolla, minahedhës, granata, mina antitank, eksplozivë, armë të gjata, mitralozë, një sasi e madhe e municionit dhe uniforma ushtarake.