Autoritetet e Kosovës kanë thënë se i gjithë armatimi i sekuestruar në Banjskë, në vlerë mbi 5 milionë euro, është prodhim i Serbisë dhe se pjesa më e madhe e saj është prodhim i viteve të fundit, në atë që e përjashton mundësinë që ato të kenë mbetur nga lufta në Bosnjë-Hercegovinë. “Informacionet paraprake tregojnë se armët nuk janë nga ish-lufta në Bosnjë-Hercegovinë”, kanë thënë në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës
Bosnjë-Hercegovina ka pranuar që të bashkëpunojë me Kosovën në lidhje me hetimet mbi pretendimin e Serbisë se armët e sekuestruara në Banjskë, pas shpartallimit të grupit serb që ndërmori sulm ndaj Policisë më 24 shtator, janë blerë në qytetin e këtij shteti, Tuzëll.
Në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës kanë thënë se janë duke bashkëpunuar me institucionet e Kosovës për të zbardhur hetimet e sulmit në Banjskë.
“Prokuroria e Bosnjës ka pranuar kërkesën për ndihmë reciproke nga autoritetet e Kosovës. Zyra e Prokurorit të Bosnjës dhe Departamenti Federal i Policisë në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës do të kryejnë aktivitetet e nevojshme për të përcaktuar të gjitha detajet në dispozicion rreth origjinës së armëve të sekuestruara”, është bërë e ditur nga Prokuroria e Bosnjës nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se i gjithë armatimi i sekuestruar në Banjskë, në vlerë mbi 5 milionë euro, është prodhim i Serbisë dhe se pjesa më e madhe e saj është prodhim i viteve të fundit, në atë që e përjashton mundësinë që ato të kenë mbetur nga lufta në Bosnjë-Hercegovinë.
“Informacionet paraprake tregojnë se armët nuk janë nga ish-lufta në Bosnjë-Hercegovinë”, kanë thënë në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, po ashtu është përfshirë në hetimin për rastin e 24 shtatorit, në të cilin ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku. Sipas EULEX-it, përgjegjësinë e plotë për hetimet e kanë autoritetet e Kosovës.
“Autoritetet e Kosovës bartin përgjegjësi të plotë për kryerjen e hetimeve mbi ngjarjet që kanë ndodhur në Banjskë më 24 shtator. Në pajtueshmëri me mandatin që ka, EULEX-i është duke monitoruar aktivitetet e ndërmarra nga autoritetet e Kosovës në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur në Banjskë më 24 shtator dhe Misioni rithekson se kryerësit e sulmit ndaj zyrtarëve të Policisë duhet të vihen para drejtësisë”, kanë bërë të ditur në EULEX.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e ka marrë Milan Radoiçiq, deri atëherë nënkryetar i Listës Serbe. Por në Qeverinë e Kosovës ka thënë se ai është vetëm ekzekutori, kurse organizatori është shteti i Serbisë.
“Duhet të adresohet përgjegjësia e Serbisë më 29 maj dhe më 24 shtator. Në vend se të ekstradojë terroristët, vazhdon t’i mbështesë ata. Pata paralajmëruar se nëse sulmuesit e trupave në maj që udhëhiqeshin nga bandat kriminale do të përfundonin pa dënuar do t’i inkurajonte të përsërisnin sulmet në shkallë më të madhe. Janë po të njëjtit njerëz që sulmuan NATO-n, e që sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator”, ka thënë të martën presidentja Vjosa Osmani, gjatë një konference të përbashkët shtypi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, i cili pati qëndruar për vizitë në Kosovë.
Stoltenberg nga Prishtina i pati adresuar kërkesë Beogradit zyrtar që sulmuesit e Banjskës të vihen para drejtësisë.
“Në shtator incidentet e dhunshme në veri të Kosovës na e kujtuan rrezikun e një konflikti më të madh që mund të shpërthejë në Ballkanin Perëndimor. Gjatë një sulmi në maj, 93 ushtarë të NATO-s u plagosën seriozisht, disa prej tyre iu nënshtruan plagëve që do t’i shoqërojnë për gjithë jetën. Sulmet e tilla janë të papranueshme dhe kërkojmë që përgjegjësit të mbahen llogaridhënës”, ka deklaruar Stoltenberg.
Në operacionin e Policisë ndaj grupit të uniformuar serb janë vrarë tre sulmues dhe janë arrestuar disa prej tyre. Kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar Serbinë për sulmin dhe ka kërkuar nga Perëndimi që të zbatojë masa ndëshkuese ndaj saj.