Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ardhja e mërgimtarëve rrit praninë e policisë në trafik

Jeton Rexhepi, drejtor për Komunikacion Rrugor në Policinë e Kosovës, ka deklaruar se zyrtarët policorë kanë shtuar prezencën fizike nëpër rrugë, me qëllim që të jenë në kontakt me qytetarët, për t’i informuar mbi rreziqet në komunikacion.

Ai ka deklaruar në “60 Minuta” të KTV-së të martën se ardhja e bashkatdhetarëve ka shtuar qarkullimin në trafik, me ç’rast sipas tij, është rritur edhe numri i aksidenteve. Sipas Rexhepit, Policia me fokus të veçantë ka komunikimin e afërt me bashkatdhetarët, që t’u kumtohen veprimet që parandalojnë aksidente.

“Një prezencë e shtuar policore në rrugë është kërkuar, sidomos në zona urbane që të ketë qarkullim në këmbë. Po ashtu, patrullimi të bëhet në pika të kontrollimit, nga automjete civile e edhe me automjete me pajisje inteligjente që bëjnë kontroll dhe identifikim të kundërvajtësve”, ka thënë Rexhepi.

Zyrtari policor ka shtuar se janë bërë edhe fushata vetëdijësuese për pjesëmarrësit në trafik, pasi sipas tij, shkeljet përcillen edhe me gjoba, me qëllim disiplinues.

“Sa i përket gjobave, siç parashihet me ligj, policia pos pjesëve të parandalimit e sensibilizimit, e ka obligim edhe të marrë masa ndaj kundërvajtësve që ndodhën në trafik. Qëllimi i gjobave është disiplinimi i shkelësve. Ndryshimet ligjore kanë ndikuar që edhe gjobat të kenë efektet e tyre”, ka thënë ai.

Edhe Rexhepi: Ligji i ri i trafikut ashpërson gjobat për shkelësit me qëllim të rritjes së sigurisë Arbëri Rexhepi: Ligji i ri i trafikut ashpërson gjobat për shkelësit me qëllim të rritjes së sigurisë

Sipas Rexhepit, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 4.116 vozitësve u është ndaluar vozitja, e mbi 12 mijë të tjerëve u janë shqiptuar pikë negative.

“Efekti i gjobave është në edukim. Të punojmë bashkërisht që edhe ky vit të mbyllet me sa më pak fatalitete”, ka thënë ai.

Drejtori për Komunikacion Rrugor ka shtuar se në muajt e verës ka ardhje më të madhe të bashkatdhetarëve në Kosovë, me ç’rast fluksi i veturave shtohet.

“Në 24 orët e fundit janë 103 aksidente në trafik. Zakonisht shifrat në këta muaj sillen nga 80 deri në 100 aksidente në ditë. Në periudha të tjera kjo shifër varion nga 50 deri në 65 aksidente brenda 24 orëve”, ka theksuar ai, duke përmendur se rreth 3 për qind e aksidenteve shkaktohen nga vetura të paregjistruara.

Edhe Rexhepi: Kosova ka trend të rënies së numrit të viktimave nga aksidentet e trafikut Arbëri Rexhepi: Kosova ka trend të rënies së numrit të viktimave nga aksidentet e trafikut

I pyetur për çështjen e trotineteve, Rexhepi ka shtuar se qarkullimi i tyre në trafik ende s’është rregulluar me ligj, dhe siç ka thënë ai, qarkullimi i tyre konsiderohet kundërvajtje.

“Aktualisht si mjet në trafik nuk është trotineti, por ligji është afër finalizimit. Një prej kapitujve i rregullon edhe trotinetet apo me dy rrotë. Policia e Kosovës vepron dhe merr masa ndaj tyre kur lëvizin në sheshe apo në vende të caktuara ku kufizohet lëvizja e mjeteve të tilla”, ka thënë ai.