Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar se në fshatin Konçul të Bujanocit, që gjendet në afërsi të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë është gjetur sasi e madhe e armatimit.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë, armatimi i gjetur nën një shkëmb përfshinë 137 municione për granata hedhës, raketë dore, një minë anti-tank, dylbi për mbikëqyrje natën, katër kuti me 1,436 copë municion pushke të kalibrave të ndryshëm dhe një uniformë kamuflazhi.
Me urdhër të zëvendës-prokurorit të Prokurorisë së Lartë Publike në Vranjë, pjesëtarët e policisë po zhvillojnë hetime, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Sipas Ministrisë së Brendshme, Prokuroria urdhëroi policinë të paraqesë padi penale kundër autorëve të panjohur për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ata kanë kryer krimin e prodhimit të paligjshëm, posedimit, mbajtjes dhe trafikimit të armëve dhe eksplozivëve.
"Anëtarët e policisë, me urdhër të prokurorisë, po marrin të gjitha masat dhe veprimet brenda kompetencës së tyre në mënyrë që të hedhin dritë mbi këtë akt kriminal", tha ministria e Brendshme në deklaratë.