Arsenali i armëve që u shpalos nga Policia e Kosovës, është gjetur në zonat përreth varrezave masive të zbuluara së fundmi në Zubin-Potok, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në konferencën për shtyp, Sveçla ka bërë të ditur se armët, municionet e pajisjet ushtarake janë hasur në afër zonave ku u gjetën mbetjet mortore të 23 personave.
“Sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve që u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit edhe në veri, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi institucional. Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Veriu i vendit pos që ishte skenë e krimeve, maltretimeve... u shfrytëzua edhe për fshehje të trupave”, ka thënë Sveçla.
VIDEO:
Sipas njoftimit të tij, mbetjet mortore të 23 personave u gjetën në tri lokacione ku po kryheshin gërmime – 13 në të parin, katër në të dytin dhe gjashtë në të tretin.
Edhe
Fotogaleria: Kapet arsenal armësh në veri
Sveçla ka thënë se Kosova s’do të ndalet së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës.
Ai ka thënë se heshtja e Serbisë dhe e Listës Serbe për zhvillimet e fundit në veri, tregon mbështetje për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e akteve të rënda.
“Është shqetësuese heshtja e shtetit të Serbisë dhe dorës së saj të zgjatur në Kosovë, Listës Serbe, për këto zhvillime, pra për varrezën masive dhe armët e konfiskuara. Heshtja e tyre në fakt është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla ka bërë të ditur po ashtu se për armatimin e kapur do të kryhen hetime e ekzaminime për të përcaktuar origjinën dhe mundësinë e lidhjes së tyre me çështjen e të zhdukurve, mbetjet mortore të të cilëve janë gjetur së fundmi.
“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve me rastet e hetuara përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave por edhe rasteve të tjera kriminale”, ka thënë tutje ministri në detyrë.
Edhe
Bastisen gjashtë lokacione në Zubin-Potok, sekuestrohet armatim i llojeve të ndryshme
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha ka thënë se gjatë operacioneve e kontrolleve në 48 lokacione janë gjetur e konfiskuar sasi e konsiderueshme e armëve.
Çka gjeti policia:
- 72 copë armë,
- 2 mitralozë,
- 11 armë të gjata AK-47,
- 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme,
- 27 pushkë të gjuetisë,
- 90 armë të shkurtra pistoleta të ndryshme,
- 7 mjete shpërthyese,
- 7 granata dore,
- 2 detonatorë,
- pjesë plastike për paketimin e granatave.
- 4831 municione të kalibrave të ndryshme
- mjete piroteknike,
- pjesë metalike të mjeteve shpërthyese,
- pjesë të armëve,
- tyta,
- karikatorë,
- pajisje tjera ushtarake
- thika,
- gazmaska,
- radiolidhje,
- dylbi,
- arka druri për municione,
- uniforma ushtarake,
- këmisha të ushtrisë,
- këmisha të policisë,
- dokumentacione,
- libreza të armëve të ish-Jugosllavisë,
- kartela të veteranit,
- dokumente të armëve,
- dokumente të rojeve të pyjeve,
- leje të armëve të shkurtra, të skaduara
- 96100 euro,
- 5000 franga