Arbëri

Policia njofton se janë larguar arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit

Ariu

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë larguar disa arinj që ishin paraqitur në fshatin Bellobrad të Dragashit, në afërsi të shkollës. 

Policia ka thënë se arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimet e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara. 

“Policia, konkretisht Stacioni Policor në Dragash, fillimisht ka shtuar  patrullimet policore në zonën e fshatit Bellobrad dhe ka njoftuar për bashkërendim institucionet përgjegjëse: Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës; Drejtorin e Parkut Kombëtar “Sharri”; Drejtorin Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural  dhe Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër” nga Dragashi. Nga Shoqata e Gjuetarëve ‘Dhia e Egër’ është konfirmuar se aksioni për largimin e arinjve është përfunduar me sukses. Arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara”, ka njoftuar Policia e Kosovës. 

Policia ka njoftuar banorët e Bellobardit dhe rrethinës se arinjtë janë larguar dhe zona është e sigurt për qytetarët. 

“Falënderojmë të gjitha institucionet dhe shoqatën e gjuetarëve për bashkëpunimin e treguar në këtë rast”, thuhet nga Policia. 

Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Sezai Surroi” në Bellobrad të Dragashit i ishte drejtuar Policisë me një kërkesë zyrtare për ndërmarrjen e masave të menjëhershme të sigurisë, pas paraqitjes së arinjve në fshat. Kërkesa ishte bërë javën e kaluar. 

Në kërkesën e bërë nga drejtoria e shkollës, është kërkuar largimi apo eliminimi i këtyre kafshëve të egra që sipas tyre, po paraqesin rrezik serioz për nxënësit, stafin arsimor dhe banorët e fshatit.

“Në emër të Shkollës ShFMU ‘SEZAI SURROI’ Bellobrad, ju drejtohemi me këtë kërkesë që të ndërmerrni masa të menjëhershme sigurie për eliminimin ose largimin e arinjve që janë shfaqur në territorin e fshatit tonë. Prania e këtyre kafshëve të egra po paraqet rrezik serioz për nxënësit e shkollës sonë, për stafin arsimor si dhe për të gjithë banorët e fshatit, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites kur nxënësit udhëtojnë drejt dhe nga shkolla”, thuhet në kërkesë.