Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia në Podujevë, e shqetësuar me lojën e rrezikshme “Balena e Kaltër”

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në takimin e sotëm, e cilësoi të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës si dhe e vlerësoi pozitivisht mbarëvajtjen e fushatës dhe procesit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Ky Këshill, në mbledhjen e kryesuar nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it për gjendjen e sigurisë në Komunë; informatën për aktivitetet e Policisë për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime tjera publike; informatën nga Drejtoria e shërbimeve publike Mbrojtjes dhe shpëtimit për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve.

Lidhur me gjendjen e sigurisë gjatë dy muajve të fundit raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, i cili tha se gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës është e qetë dhe stabile.

Komandanti Bislimi tha se brenda periudhës raportuese, policia ka zhvilluar aktivitete dhe plane operative që kanë pasur të bëjnë me përmbylljen e vitit shkollor, mbrëmjet e maturës dhe semimaturës, mbarëvajtjen e fushatës dhe vetë procesit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

“Të gjitha këto aktivitete janë zhvilluar dhe kanë përfunduar pa ndonjë incident”, tha komandanti Bislimi.

Edhe Situata e sigurisë në Podujevë vlerësohet e qetë Arbëri Situata e sigurisë në Podujevë vlerësohet e qetë

Si shqetësim, kapiteni Bislimi përmendi përfshirjen e adoleshentëve në lojën e rrezikshme virtuale “Balena e kaltër”, për çka tha se bashkë me Drejtorinë e Arsimit kanë ndërmarrë fushatë vetëdijësuese për nxënësit nëpër shkolla.

Gjendjen e sigurisë e kanë vlerësuar të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.

Lidhur me raportin e përfaqësuesve të organeve të sigurisë, kryetari Veliu, tha se është shumë i kënaqur që në Komunën e Podujevës kemi një gjendje të mirë të sigurisë.

Veliu përgëzoi Policinë e Kosovës për punën dhe angazhimin e bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, kur në Komunën e Podujevës kishte aktivitete të ndryshme, përfshirë këtu fushatën dhe vetë procesin zgjedhor.

“Përgëzoj pjesëmarrësit në proces zgjedhor, subjektet politike, por edhe qytetarët, për mbarëvajtjen e fushatës dhe vetë procesit zgjedhor, i cili u zhvillua pa asnjë incident”, tha kryetari Veliu.

Komandanti i Policisë ka raportuar edhe për aktivitetet e Policisë për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime tjera publike. Ai tha ka një plan operativ për vetëdijesimin dhe parandalimin e kësaj dukurie.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Faik Muçiqi, raportoi për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve.

Edhe Në Podujevë është shqetësues numri i madh i aksidenteve Arbëri Në Podujevë është shqetësues numri i madh i aksidenteve

Në këtë aspekt drejtori Muçiqi përmendi projektet që janë duke u realizuar në ndërtimin e trotuareve në segmentet rrugore afër shkolla, duke thënë se deri tash janë ndërtuar mbi 13 km trotuare me kubëza.

Ai tha se është duke u mirëmbajtur ndriçimi publik në qytet si dje janë në fazën e realizmit projekt për zgjerimin e rrjetit të ndriçimit. Ndërsa, janë duke vazhduar projektet në zgjerimin e shtratit të lumenjve, ndërtimi i urave. Kurse tashmë janë kryer të gjitha procedurat për shenjëzimet horizontale dhe vertikale në rrugë.