Arbëri

Policia kërkon funksionalizimin e kamerave vëzhguese të sigurisë në Prizren

Përfaqësuesit e Stacionit Policor në Prizren u kanë bërë thirrje sërish autoriteteve komunale që ta realizojnë projektin për funksionalizimin e kamerave vëzhguese të sigurisë. Zyrtarët përgjegjës nga Komuna e Prizrenit kanë theksuar se janë duke e përgatitur me kujdes lëndën për prokurim, në mënyrë që tenderimi të mos dështojë si në të shkuarën

Kamerat vëzhguese të sigurisë në Prizren nuk janë funksionale prej vitesh, derisa organet ligjzbatuese në mënyrë konstante u kanë bërë thirrje autoriteteve lokale që të ndërmarrin veprime për zgjidhjen e kësaj çështjeje, me qëllim të lehtësimit të zbardhjes së veprave penale. Zyrtarët komunalë kanë pohuar se përpjekjet për kontraktimin e një operatori për vendosjen e kamerave të reja dhe mirëmbajtjen e atyre ekzistuese kanë dështuar disa herë dhe se aktualisht po punohet për procedimin e lëndës në prokurim.

Kërkesa për funksionalizimin e kamerave vëzhguese të sigurisë është adresuar edhe në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi nga zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Prizren, Nexhdet Mrasori.

“Një ndër pikat është edhe për kamerat e sigurisë, qe sa kohë Komuna e Prizrenit i ka të papërdorshme. Besoj që ndoshta këtë vit do të implementohet projekti për realizimin e atyre kamerave”, ka thënë ai.

Drejtoresha për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, Ramize Sinanaj-Shala ka sqaruar se ky dikaster prej një dekade synon që ta bëjë një zgjidhje, porse vazhdimisht ka dështuar në procesin e prokurimit.

jemi në procedurë, jemi duke i detajuar gjërat, pasi që ka 10 vjet që DES vazhdimisht tenton për me i vendosë kamerat dhe ka dështuar disa herë. Në këtë rast jemi duke i detajuar gjërat që projekti mos të dështojë. Jemi shumë afër për me dërgua lëndën në tenderim edhe do të vazhdojmë me procedura”, ka deklaruar ajo.

Krahas çështjes së kamerave, në mbledhjen e Këshillit janë adresuar edhe brenga tjera, si siguria në shkolla dhe në rrugën “Adem Jashari”, prania e qenve endacakë, shtyllat e dëmtuara të energjisë elektrike dhe të tjera.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka theksuar se kërkesat e qytetarëve janë më të mëdha sesa kapaciteti dhe mundësitë që i ka komuna, prandaj dhe ka kërkuar që edhe komuniteti t’i ndihmojë organet e sigurisë në parandalimin e incidenteve. “Edhe është shumë mirë me veprua në preventivë, d.m.th. mos me pritë me na ndodhë diçka pastaj me reagua me u marrë me pasojat, por me ndërmarrë masa të sigurisë që me i parandalua incidentet eventuale”, është shprehur Totaj.

Rrugët e sheshet kryesore të Prizrenit patën filluar të vëzhgohen nga kamerat vëzhguese të sigurisë që prej mesit të vitit 2012, kur Drejtoria e Emergjencës kishte investuar 200 mijë euro për instalimin e 70 kamerave në pikat kryesore. Por vite më pas në bazë të raportimit të organeve ligjzbatuese rezultonte se pjesa më e madhe e tyre nuk janë në funksion.