Policia holandeze ka bërë të ditur se dy protestues janë arrestuar dhe një polic është lënduar lehtë në protestën në Hagë të mërkurën.
Policia ka treguar se rreth orës 12:00 pati një periudhë të shkurtër trazirash, kur një grup i protestuesve kishte shkuar në drejtim të Raamweg ku gjenden Dhomat e Specializuara të Kosovës, e për të cilën nuk kishin leje.
“Njësia Mobile formoi kordon për ta bllokuar qasjen drejt Raamwegut. Kur një pjesë e protestuesve u kthye kundër policisë, Njësia Mobile ndërhyri për të kryer një operacion për shpërndarjen e tyre dhe për një kohë të shkurtër përdori topin e ujit. U përdor edhe sprej. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të vendosur, rendi u rivendos brenda një kohe të shkurtër. Gjatë përballjes me një grup protestuesish në Raamweg, disa protestues përdorën dhunë ndaj zyrtarëve policorë dhe pajisjeve të policisë. Një zyrtar policor pësoi lëndime të lehta. Dy persona u arrestuan, të dy për vandalizëm”, thuhet në njoftimin e Policisë holandeze.