Arbëri

Policia fton shoferët për kujdes të shtuar nga mjegulla

Mjegull ne Ferizaj

Policia e Kosovës ka dalë me thirrje për ngasësit e automjeteve në trafikun rrugor që të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të pranisë së mjegullës në disa zona të vendit.

Prezenca e mjegullës është e pranishme në vendet ku pozita gjeografike është më e ulët, rikujton policia në thirrjen e saj, duke shtuar se gjatë kësaj kohe drejtuesit e automjeteve duhet të përdorin dritat e mjegullës dhe të mos tejkalojnë shpejtësinë e lejuar në rrugë.

“Mos harroni, se ngasja në mjegull është e rrezikshme. Mbani në vëzhgim rrugën për ndryshime të papritura të dukshmërisë, mjegulla më e dendur mund të jetë më afër lumenjve. Mjegulla mund të shkaktojë iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë sesa janë. Mbani vëmendjen, mos shpejtoni”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjithashtu, Policia këshillon drejtuesit e automjeteve që të mos përdorin dritat e gjata, pasi ato mund të reflektojnë jashtë mjegullës dhe mund të kthehen në automjetin e tyre, e gjithashtu do të pamundësojnë që të shihen nga ngasësit e tjerë në komunikacion.

“Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita, kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin edhe nga një distancë më e madhe”, vijon njoftimi.