Policia e Kosovës dhe Karabinierët e Italisë janë vendosur tek ura e Ibrit në Mitrovicë, duke mos lejuar qytetarët të dalin në pjesën veriore, raporton KOHA.
Kjo për shkak se Mitrovica e Veriut, me vendim të Shtabeve të Krizave, është në karantinë, për shkak të situatës me koronavirus.
KOHA mëson se në kuadër të Policisë së Kosovës, ka policë shqiptarë e serbë që po patrullojnë në Mitrovicën e Veriut.
Mitrovica Veriore dhe Zveçani në karantinë
Mbrëmë dy komuna serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani, janë futur në karantinë me vendim të Shtabeve të Krizave të themeluara në këto dy komuna.
Policia e Kosovës në një përgjigje për KOHA-n ka thënë se është duke operuar në të gjitha rajonet e Kosovës sipas urdhrit operativ për veprim ndaj Covid-19.
“Policia e Kosovës, bazuar në urdhrin operativ për gatishmëri dhe veprim ndaj COVID-19, do ti ndërmerr të gjitha veprimet policore konform autorizimeve ligjore që ka, në të gjitha rajonet e Kosovës”, thotë PK.
Tutje Policia shton se do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet, përfshirë edhe ato lokale.
“Bazuar në situatën dhe rrethanat e krijuara nga pandemia, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit dhe me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve, PK-ja do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe ato lokale”, thotë PK.
Këtë e ka konfirmuar dje kreu i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, duke bërë të ditur hyrjen në fuqi të vendimit në orën 18:00.
Nga komunat serbe në Kosovë, 17 persona deri më tani kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, derisa është shënuar edhe një viktimë nga komuna e Leposaviqit.
KOHA ka dërguar pyetje te Ministria e Brendshme lidhur me këtë çështje, por ende nuk ka marrë përgjigje.
{gallery}