Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Karantinimi i Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit u nxjerr probleme shqiptarëve në këtë pjesë

Afrim Mehana me vështirësi të shtunën ka dalë në punë.

Kjo, për shkak se ai jeton në Mitrovicën Jugore, por punon në pjesën veriore të qytetit, që u fut në karantinë mbrëmjen e së premtes.

Vështirësi për shkak të izolimit të Mitrovicës Veriore kanë edhe banorët e lagjes së Minatorëve.

Ata thonë që edhe furnizimin me gjëra elementare e kanë bërë në jug të Mitrovicës.

Gjatë së premtes, u mor vendimi për futjen në karantinë edhe të Komunës së Zveçanit.

Kryetari i Këshillit të banorëve shqiptarë në Veri thotë se në këtë kohë problem është edhe marrja e shërbimeve mjekësore, raporton KOHA.

Edhe Komunat në veri të vendit futen në karantinë Arbëri Komunat në veri të vendit futen në karantinë

E për ta respektuar këtë vendim, pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë vendosur në disa pika, në hyrje të Mitrovicës Veriore.

Një prej këtyre pikave ka qenë edhe Ura e Ibrit në Mitrovicë, ku nuk u lejuan qytetarët të shkojnë për në pjesën veriore.

Vendimi për izolim erdhi nga Shtabet e Krizave të Komunave, për shkak të rritjes së numrit të të prekurve me koronavirus.

Për këtë ka folur edhe ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Masa e karantinimit për komunat Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan është vendosur në koordinim të plotë mes institucioneve qendrore (Ministrisë së Shëndetësisë) dhe autoriteteve lokale”, ka thënë ai.

Edhe Në Mitrovicën V. dhe në Zveçan, nga nesër ndalohet qarkullimi nga ora 12 deri në 6 Arbëri Në Mitrovicën V. dhe në Zveçan, nga nesër ndalohet qarkullimi nga ora 12 deri në 6

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë me dije që po respekton vendimet e komunave për izolim.

Asambleistët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut thonë se një vendim të tillë e kanë pritur nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe nënkryetari për komunitetet në Komunën e Zveçanit, Florim Kelmendi, ka njoftuar se vendimi për izolimin e këtij qyteti ka ardhur në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, por shton që fshatrat Boletin, Zhashë dhe Kelmend nuk janë të përfshira në këtë vendim.

Gjatë së shtunës, në Mitrovicën e Veriut është parë që qytetarët kanë ndalur qarkullimin në orën 13:00.

Edhe Ndërpritet qarkullimi mes veriut të Mitrovicës dhe Zveçanit Arbëri Ndërpritet qarkullimi mes veriut të Mitrovicës dhe Zveçanit

Në spitalin e Mitrovicës Veriore nuk kanë dhënë detaje ndaj mënyrës së trajtimit të rasteve me koronavirus e as për numrin e tyre.

Deri më tani, është e ditur se në komunat me shumicë serbe janë të infektuar mbi 20 persona dhe një person është viktimë e COVID-19.