Në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion ndaj objektit së “Focus Media Group” në Tiranë, ku ushtrojnë aktivitetin televizoni News24, portali BalkanWeb, si dhe gazetat Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Sipas komunikimit zyrtar të “Focus Media Group”, forcat e policisë kanë rrethuar objektin, kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe për pasojë kanë lënë News24 pa sinjal transmetimi. Gazetarëve dhe punonjësve të mediave u është penguar hyrja në redaksi dhe sipas këtij grupi, ka bllokuar punën dhe ka ndërprerë qasjen e publikut në informacion. Që nga ora 10:00, News24 ka vijuar transmetimin përmes kanalit të saj në YouTube.
Objekti ku janë të vendosura këto media është pjesë e një mosmarrëveshjeje pronësore me kompaninë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO, e cila e ka marrë në pronësi këtë vit. Megjithatë, sipas “Focus Media Group”, nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak për redaksitë, vendim gjykate apo urdhër ligjor që të justifikonte ndërprerjen e energjisë dhe bllokadën.
Rrjeti rajonal i gazetarëve SafeJournalists, në të cilën bën pjesë edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka shprehur “shqetësim të thellë” për ndërhyrjen, duke e cilësuar të paprecedentë dhe në kundërshtim me parimin e procesit të rregullt ligjor.
“Ndonëse mosmarrëveshje të tilla mund të ndodhin, çdo veprim që ndikon në funksionimin e mediave duhet të bazohet në një proces të rregullt ligjor dhe të sigurojë ndërhyrje minimale në punën e gazetarëve dhe të drejtën e publikut për t’u informuar”, thuhet në reagim.
Rrjeti i bën thirrje autoriteteve shqiptare të heqin menjëherë bllokadën, të rikthejnë energjinë elektrike dhe të lejojnë qasje të pakufizuar për gazetarët në vendet e tyre të punës. Po ashtu, kërkohet një shpjegim publik mbi bazën ligjore të këtij veprimi dhe që çdo masë e ardhshme ndaj mediave të bëhet me mbikëqyrje gjyqësore.
Në deklaratë, SafeJournalists thekson se “çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut” dhe shpreh solidaritet me gazetarët e prekur nga kjo situatë.
Për rastin ka reaguar edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili ka thënë se sulmi ndaj News24 “është akt xhelati ndaj fjalës së lirë nga Ramaduro”.
LIVE nga News24: