Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas mbylljes së mediave, Qeveria Rama kritikohet për arbitraritet e cenim të lirisë së informimit

Veprimet e autoriteteve në Shqipëri kanë bërë që media të shumta të mbeten jashtë objekteve ku funksiononin paraprakisht. Përderisa gjykata në Tiranë e ka urdhëruar Qeverinë që t’i lirojë objektet ku funksiononin mediat, ky vendim gjyqësor nuk është zbatuar. Gazetarët dhe përfaqësuesit e mediumeve të prekura nga vendimi e kanë fajësuar Qeverinë e udhëhequr nga Edi Rama për arbitraritet.

10 ditë pasi autoritetet e Shqipërisë ndërhynë në dy objekte të mediumeve dhe ua shkëputën sinjalin e transmetimit, televizioni News 24 i është rikthyer punës.

Megjithatë, tash e 10 ditë që nga ndërhyrja e paparalajmëruar e shtetit, gazetarët dhe drejtuesit e News 24, si dhe të 5 mediumeve të tjera nuk kanë pasur qasje në dy objektet ku kanë funksionuar më herët.

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur t’ia japë në pronësi njërin objekt ku operonte News 24 një ndërmarrjeje shtetërore ushtarake KAYO.

E në objektin tjetër ku vepronin disa media të tjera Qeveria ua ka bllokuar qasjen atyre. 

Gazetarëve u janë marrë edhe kompjuterët dhe të gjitha dokumentet që i kishin në redaksi.

Edhe Policia bllokon News24 dhe mediat e tjera të “Focus Media Group” Arbëri Policia bllokon News24 dhe mediat e tjera të “Focus Media Group”

Vendimi gjyqësor për t’i rikthyer ato është shpërfillur, ashtu si vendimi për t’ia rikthyer qasjen në objekte.

Ndërhyrjen e shtetit në redaksitë e mediave gazetari i News 24 Renaldo Salijanji e sheh si arbitraritet të Qeverisë.

“Gjykata ka urdhëruar kompaninë shtetërore KAYO që t’i kthejë të gjitha ato materiale që iu kanë marrë gazetarëve, por ende nuk është bërë kthimi i këtyre materialeve edhe pse këto materiale duhet të ktheheshin brenda 48 orëve, ne sërish nuk i kemi marrë këto materiale. Sa i takon godinës tjetër për të cilën kemi kontratë deri në vitin 2034, ne sërish nuk lejohemi të hyjmë në këtë godinë me argumentin se e gjithë zona rreth godinës është territor ushtarak”, ka thënë ai. 

Salijani thotë se qëllimi ishte të pengohet puna e gazetarëve hulumtues dhe e kritikëve ndaj pushtetit.

 “Nesër mund të jetë radha e një media tjetër dhe kjo i frikëson të gjitha mediat qoftë mediat online apo mediat e shkruara apo vizive që të mund të jenë kritike me qeverinë që të mund t’i investigojnë skandalet e ndryshme që ndodhin në Qeveri apo lidhjet e Qeverisë me krimin dhe do të censurohen, do të vetëcensurohen mediat në mënyrë që të vijojnë punën e tyre pasi e panë se cfarë do të ndodhë nëse do të jesh kritik ndaj Qeverisë”, ka shtuar ai.

Drejtoresha e News 24, thotë se rasti gjyqësor për pronësinë nuk është arsye e mjaftueshme për t’ia shkëputur sinjalin një televizioni e as për t’i mbyllur mediat.

“Do të vazhdojmë të punojmë pa u ndalur, qoftë edhe në këtë studio të improvizuar për të dhënë te shikuesit informacionet më të fundit e të vërteta...Ndërsa pjesa tjetër është rruga ligjore. Të gjitha kallëzimet që zyra ligjore e kompanisë i ka bërë si në gjykatat vendore ashtu edhe ndërkombëtare – me besimin e plotë se do të gjejmë të drejtën tonë për të ushtruar lirinë tonë të informimit të publikut e cila na është privuar padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare”, ka thënë Anila Jole, drejtoreshë e News 24.

Veprimet e autoriteteve të Shqipërisë kanë nxitur reagime të shumta.

Edhe Protestuesit në Shqipëri vlerësojnë se janë arritur disa objektiva madhore Arbëri Protestuesit në Shqipëri vlerësojnë se janë arritur disa objektiva madhore

Reporterët Pa Kufij e kanë dënuar intervenimin e policisë, duke thënë se e cenon të drejtën e informimit

BE-ja e ka quajtur shqetësues veprimin, e Grupi i Organizatave për Reagim të Shpejtë në reagimin e tyre, vendimin e qeverisë e ka vlerësuar cenim të lirisë së mediave.