Fëmijë e të rritur janë mbledhur te shtatorja e Skënderbeut në kryeqytet, për të ndezur qirinj për viktimat që kanë vdekur në tërmetin në Shqipëri.
Qytetarët, të emocionuar, thonë se e kanë përjetuar rëndë ngjarjen dhe se me anë të këtij aktiviteti ndajnë dhimbjen me familjet e viktimave, raporton KTV.
Derisa organizatorët thonë se ky aktivitet në kujtim të personave të vdekur nga tërmeti do të vazhdojë edhe netët tjera.
Qirinj janë ndezur edhe në qytetin e Gjilanit, në përkujtim të të dy vëllezërve të cilët humbën jetën në termet.
Derisa në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ka vazhduar mbledhja e ndihmave për t’u dërguar në Shqipëri, grupi i tifozëve “Plisat”, me anë të këngës, kanë treguar përkrahjen për shqiptarët.
Dino Meta, përfaqësues i “Plisave”, ka treguar se janë mbledhur rreth 10 mijë euro para që do të dërgohen për familjet që kanë mbetur pa strehë.
Raste të solidaritetit si këto ka pasur me qindra në të gjithë Kosovën, që nga e marta kur edhe ndodhi tërmeti.