Investimet në planifikimin familjar ndikojnë pozitivisht në rritjen e rolit të gruas në shoqëri si dhe në barazinë gjinore.
Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët me temë “Rëndësia e Planifikimit Familjar në Shëndetin e Popullsisë”, të cilën e organizoi K10 në bashkëpunim me UNFPA me rastin e Ditës Botërore të Popullsisë.
Doktoresha Visare Mujko - Nimani nga UNFPA, u shpreh se investimet në planifikimin familjar ndikojnë pozitivisht në rritjen e rolit të gruas në shoqëri si dhe në barazinë gjinore, raporton KP.
Ajo theksoi se ky investim në planifikim familjar ka rëndësi të veçantë edhe për zhvillimin ekonomik.
Ndërsa, doktoresha Zarife Miftari nga UNFPA, u shpreh se kjo organizatë ka kontribuar që nga viti 1999 në Kosovë, duke ofruar pajisje moderne për institucionet publike në Kosovë, zhvillimin e kurrikulave për mësimin e rëndësisë së planifikimit familjar në Kosovë e të tjera.
Sipas saj, futja e lëndës për edukim seksual në Kosovë duhet të jetë prioritet pasi që sipas hulumtimeve që UNFPA ka bërë, e sheh shumë të rëndësishme që të rinjtë të informohen për rëndësinë e shëndetit seksual dhe riprodhues.