Arbëri

Pjesëtarë të komunitetit LGBTI nuk kanë shpresë në partitë politike

Premtimet në prag të fushatës, subjektet politike i kanë me bollëk, madje, edhe për temat për të cilat asnjëherë më parë nuk e kanë ngritur zërin.

Ndër të cilat edhe çështjet të cilat kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

Ndonëse, deri më tani, nuk kanë propozuar diçka konkrete, disa prej kandidatëve për kryeministër kanë deklaruar se do punojnë në trajtimin e barabartë të komunitetit LGBTI.

Se institucionet duhet t’i adresojnë problemet me të cilat ballafaqohen komuniteti LGBTI, e thonë edhe aktivistë të organizatave joqeveritare, ndonëse thonë se janë skeptikë, se do të ketë ndonjë ndryshim, pas zgjedhjeve, raporton KTV.

Lend Mustafa nga Qendra për Barazi dhe Liri, thotë se premtimeve të subjekteve politike, do t’u besojnë vetëm kur të shohin zbatimin e tyre në praktikë.

Ndonëse thotë se janë mësuar me premtime, Liridon Veliu nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, shpreson se kësaj here partitë do të jenë më vigjilente në zbatimin e tyre.

Ngritjen e çështjeve që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI, Arton Demhasaj është duke e parë si hap pozitiv.

Ndryshe, pak ditë pas zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 6 tetor, në Prishtinë, për herë të tretë do të mbahet Parada e Krenarisë, përmes së cilës synohet të ngritët zëri kundër diskriminimit dhe dhunës ndaj personave homoseksualë, biseksualë, transeksualë e të tjerë.